Biznesi shqiptar vuan arbitraritetin e Tatimeve dhe Doganave

Policia Tatimore,dyqan. Foto / Malton DIBRA.

Sipas raportit, biznesi shqiptar operon mes paqëndrueshmërisë së legjislativit, në kushtet e informalitetit dhe korrupsionit të lartë dhe shpeshherë vuan arbitraritetin e institucioneve publike-veçanërisht të zyrës së Tatimeve apo të Doganave.  Mjedisi ku operon ende cilësohet i cenueshëm nga korrupsioni. Sipas raportit të TI (Transparency International), faktorët që ndikojnë në këtë klimë mbeten informaliteti në ekonomi, ndryshimet e shpeshta të kuadrit ligjor, kapaciteti i ulët dhe sjellja arbitrare e administratës publike, si dhe korrupsioni në sistemin gjyqësor. Korrupsioni politik mbetet një trysni mbi biznesin e madh dhe kontratat e mëdha me shtetin. Dispozitat ligjore mbi burimet, transparencën dhe llogaridhënien janë të konsiderueshme, por zbatimi i tyre mbetet prapa. Megjithëse reforma rregullatore e ka thjeshtuar hapjen dhe mbylljen e një biznesi, ka ende vështirësi në lidhje me të drejtat e pronësisë, lejet ndërtimore, autorizimet dhe aksesin në financa. Ato që ndikojnë veçanërisht shumë janë niveli i lartë i informalitetit në ekonomi, niveli i ulët i zgjidhjes ligjore të mosmarrëveshjeve mbi kontratat, si dhe i shtetit ligjor. Transparenca e ndërmarrjeve është përmirësuar, por ende ka nevojë për përpjekje për të siguruar integritetin e llogarive financiare dhe auditimit financiar, dhe sidomos më shumë hapje në sektorin financiar.
Ekzistojnë ende vështirësi në lidhje me të drejtat mbi pronën, lejet ndërtimore, inspektimet dhe aksesin në financë. Në vitin 2015, Komisioni Europian vuri në dukje mangësitë në shtetin ligjor, respektimin e të drejtave mbi pronën si dhe luftën kundër korrupsionit. Raportet e Konkurrueshmërisë Globale dhe raportet për Klimën e Investimeve të Forumit Ekonomik Botëror (WEF) vazhdimisht kanë theksuar faktin që kompanitë në Shqipëri e konsiderojnë jo-efikas kuadrin për apelimin e rregullave apo zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Exit mobile version