Rritja e ndjeshme e çmimeve të ushqimeve në muajin gusht duket se ka “shpëtuar” vendin nga deflacioni që rrezikoi në muajt e parë të këtij viti. Ndërsa një vit më parë, një kg domate ishte rreth 50 lekë, në gusht të këtij viti, ajo arriti deri në 120 lekë, ndërsa dhe produktet e tjera ushqimore ishin në treg këtë vit pothuajse me çmime të dyfishuara. INSTAT publikoi sot treguesin e inflacionit, që mat ndryshimin e çmimeve të një shporte të gjerë mallrash. Në muajin gusht 2016, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është 2,0%. Një vit më parë ky ndryshim ishte 1,9%. Sipas INSTAT, rritja vjetore në muajin gusht është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,70 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,17 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Pije alkoolike e duhan” dhe “Argëtim dhe kulturë” kanë kontribuar secili me nga +0,07 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” kanë kontribuar me +0,06 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me 0,03 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Hotele, kafene e restorante” kanë kontribuar me 0,02 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me -0,14 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” kanë kontribuar me -0,01 pikë përqindje.
Nga janari deri në prill, niveli i inflacionit iu afrua zeros, duke ngjallur shqetësimet për deflacion, që është një tregues i rëndësishëm i stanjacionit në ekonomi. Pas muajit prill, inflacioni filloi të rritej gradualisht, por sërish ai është ende nën nivelin e shënjestruar të Bankës së Shqipërisë prej 3%. Gjithsesi, rritja e inflacionit nuk duket se po ndikohet nga kahu i shtimit të kërkesës së individëve për mallra (çmimet e veshjeve psh vijojnë në rënie), por nga faktorë të tjerë të veçantë, që kanë ndikuar në shtrenjtimin e produkteve ushqimore. Tregtuesit pohojnë se çmimi i domates apo dhe i produkteve të tjera po rritet për shkak të nivelit të ulët të prodhimit për tre arsye. Së pari, vitin e kaluar u mboll me shumicë dhe prodhuesit dolën me humbje, duke bërë që të mbjellin më pak këtë vit, së dyti, ka pasur problem me cilësinë e farave, duke ndikuar negativisht në prodhim dhe së treti, një pjesë e sipërfaqes së mbjellë ka ndryshuar destinacion, duke u kultivuar me hashash.
Luhatjet e çmimeve të ushqimeve kanë një rol përcaktues në ecurinë e inflacionit, pasi sipas shportës së mallrave, mbi bazë të së cilës matet indeksi, shqiptarët shpenzojnë për produkte ushqimore, pije e duhan rreth 40% të buxhetit të tyre, ndryshe nga vendet e zhvilluara, ku kjo peshë luhatet në rreth 10%. Krahasuar me muajin gusht 2015, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike me 4,7%, pasuar nga grupi “Shërbimi arsimor” me 4,4%, grupi “Argëtim e kulturë” me 2,4%, grupi “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,4%.
Brenda grupit të ushqimeve, çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 19,2%, pasuar nga nëngrupet “fruta” me 15,1%, “qumësht, djathë e vezë” me 4,5%, “peshk” me 3,6%, “sheqer, reçelna e ëmbëlsira” me 2,7%. Çmimet e nëngrupeve “mish” u ulën me 1,4%, “bukë e drithëra” me 0,5%, etj. Ndërsa, ulja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Transport” me 2,2%, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë” me 0,4%, “Komunikimi” dhe “Shëndeti me nga 0,1% secili, etj.