Biznesmeni i dorëzoi Shullazit 400 mijë euro me dorën e tij

Ylvi Beqja, biznesmeni që ka dëshmuar kundër Emiljano Shullazit dhe bandës së tij, ka deklaruar para hetuesve se, përveç të arrestuarve në momentet kur është kërcënuar kanë qenë dhe pjesëtarë të tjerë të grupit. Biznesmeni thotë në dëshminë e tij se, i ka paguar gjoba Shullazit rreth 550 mijë euro, por 400 mijë prej tyre i ka tërhequr vetë duke ua dorëzuar me dorën e tij kërcënuesve. Ndërsa pjesën tjetër e ka lëshuar me 3 çeqe, të marra nga Qyqja dhe Zela. Këto para janë provuar se i ka tërhequr nga bankat e nivelit të dytë në disa raste, duke ia dorëzuar pjesëtarëve të bandës së Shullazit. Por, pas dorëzimit të kësaj shume, Beqja ka treguar se për të lënë gjurmë, ka kërkuar që pagesat e tjera të bëheshin me çeqe me arsyetimin se nuk e lejonte kompania që të tërhiqte para CASH. Të ndodhur në këto kushte, Shullazi ka pranuar kërkesën e tij, duke ia dorëzuar tre emrat e të besuarve të tij, si personat në emër të të cilëve do kalonin paratë.
Ylvi Beqja ka thënë para hetuesve se, përveç 550 mijë eurove të paguara kesh është detyruar që t’i falë Shullazit edhe 30% të ish-hotel “Vollgës”. Palët kanë rënë dakord që, pasi prona të kalonte në emër të “Saudi Brothers”, Shullazi do të merrte 20% të pronës. Por burime nga grupi hetimor bëjnë me dije, se më pas Shullazi ka ndryshuar mendim, duke i kërkuar Beqajt 10% më shumë nën kanosje dhe kërcënim.
Në dosjen e Prokurorisë thuhet se, biznesmeni nën kërcënimin e armës është detyruar që ta nënshkruajë kontratën përpara noterit, duke i dhuruar në shenjë mirënjohje 30% të ish-hotel “Vollgës”. Gjithashtu në dosje sqarohet se përveç 5 të arrestuarve deri tani, Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Blerim Shullazi, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela, janë në hetim dhe disa persona të tjerë.

Hetim për çdo vendim të ish-hotel “Vollga”

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet për gjyqtarët që kanë dhënë vendime për ish-hotel “Vollgën” në Durrës. Bëhet e ditur se, hetuesit kanë sekuestruar dokumentacionin për vendimet nga viti 2003 dhe në vazhdim. Kohë kjo që përkon edhe me nisjen e kalvarit gjyqësor të pretendentit të kësaj prone, shtetasit Zamir Hasa. Ky i fundit, ka arritur që nëpërmjet një vendimi të dhënë nga Gjykata e Durrësit në vitin 2003 të njihet si pronar i ish-hotel “Vollgës”. Vendim ky që më pas është lënë në fuqi edhe në Gjykatën e Apelit, duke sjellë një lum procesesh gjyqësore nga kompania arabe dhe bashkëpunëtori i drejtësisë tashmë Ylvi Beqja.
Sipas Prokurorisë, po hetohet vendimmarrja e këtyre gjyqtarëve, pasi dyshohet se kanë dhënë një vendim të paligjshëm, që kanë sjellë pasojat për kompaninë arabe, e cila në vitin 1994 e ka blerë pronën, tashmë të sekuestruar e njohur në Durrës si ish-hotel “Vollga”. Hetimeve të Prokurorisë për Krime të Rënda nuk do i shpëtojnë edhe disa punonjës të administratës gjyqësore në Gjykatën e Durrësit, të cilët dyshohet se kanë favorizuar pretendentin Zamir Hasa.
Nga ana tjetër, pritet që në ditët në vazhdim për këto vendime, gjyqtarët, avokatët e punonjësit e administratës të merren në pyetje me cilësinë e dëshmitarëve, për të dhënë shpjegime për veprimet e tyre. Sipas akuzës, vendimi i vitit 2003 dhe më pas i vitit 2008 nga Apeli ka bërë që Ylvi Beqja, tashmë bashkëpunëtor i drejtësisë, të hap disa procese gjyqësore kundër këtyre dy vendimeve, për regjistrimin e pronës përsëri në emër të kompanisë që ai përfaqësonte. Duke parë problemet që po haste në regjistrimin e pronës, ai me ndërmjetësimin e një avokati të njohur, është takuar me Emiljano Shullazin, të cilit i ka kërkuar ndihmë për pronën kundrejt një kontrate shpërblimi.

Exit mobile version