Biznesmeni libanez ndodhet në spital, asnjë i arrestuar nga policia

Biznesmeni Fadi Mitri, i masakruar barabarisht të shtunën, ndodhet ende në spital ku po merr ndihmën mjekësore pas dhunës çnjerëzore nga disa persona që përplasën automjetin me të cilin ai udhëtonte si pasagjer në afërsi të Laknasit. Dëshmia e tij ka nxjerrë në dritë të tjera detaje nga akti kriminal që i rrezikoi atij jetën. 55-vjeçari është marrë në pyetje nga hetuesit dhe mësohet se ka dëshmuar se personat që e sulmuan, e kërcënuan duke i thënë: “Ik nga Shqipëria ose ndërprit punimet”.
Rrëfimi i tij përforcon dyshimet se ngjarja nuk ka qenë një konflikt i çastit, siç raportoi fillimisht policia, por një aksident i qëllimshëm për të sulmuar e kërcënuar me jetë biznesmenin. Këto dyshime shtohen edhe nga fakti se policia ka vendosur efektivë të saj në ruajtje të biznesmenit. Një patrullë qëndron pa ndërprerje në spitalin ku po kurohet ai.
Autorët udhëtonin me një “Wolkswagen” tuareg, me targa të huaja, për të cilin policia thotë se është lehtësisht i identifikueshëm, pasi është i dëmtuar në pjesën e përparme. Por deri tani ata nuk janë kapur. Në polici janë shoqëruar 9 persona, të cilët janë marrë në pyetje. Nga burime të pakonfirmuara mësohet se kanë qenë tre persona, që pasi kanë goditur automjetin “Mitsubishi”, ku udhëtonte Mitri, e kanë nxjerrë me forcë nga makina dhe kanë nisur ta qëllojnë me shkop bejzbolli atë dhe shoferin e tij, duke i shkaktuar lëndime në kokë dhe në trup.
Dyshimet se rrahja barbare e biznesmenit amerikano-libanez pranë kryqëzimit të Laknasit, ditën e shtunë, nuk ka qenë ngjarje e rastësishme, kanë ngushtuar rrethin e hetimeve. Burime nga grupi hetimor thanë se, pista kryesore e hetimit mbetet ajo e konfliktit për shkak të investimit që po kryente Fadi Mitri në zonën e Gjirit të Lalzit. Kjo është prona prej 28 hektarësh, në të cilën kompania “Omnix Albania”, me administrator biznesmenin libanez, do të investojë rreth 200 milionë euro për ngritjen e një kompleksi turistik multifunksional.
Kjo pronë, në vitin 2011 u bë shkak për një protestë të banorëve të Gjirit të Lalzit, të cilët prishën edhe rrethimin e saj. Hetuesit dyshojnë se janë pikërisht banorë të kësaj zonë, ata që e kanë dhunuar biznesmenin ose që kanë paguar persona të posaçëm për ta dhunuar.
Kjo e dyta është pista më e besueshme, pasi biznesmeni i dhunuar dhe shoferi i tij kanë deklaruar në polici se njëri nga agresorët e ka filmuar ngjarjen, ndoshta për t’ua treguar porositësve. Ata i kishin thënë gjithashtu atij të ndërpriste punimet dhe të largohej nga Shqipëria. Për policinë, ngjarja është e lidhur me investimin. Në versionin e parë, policia tha se konflikti ndodhi pas një aksidenti rrugor, por tashmë kjo pistë është rrëzuar nga hetuesit.
Problemet me pronën duket se janë bërë shkak edhe për vonesën e punimeve. Një vendim i qeverisë i marrë në gusht të këtij viti për shpyllëzimet, përcakton se sipërfaqja pyjore prej 28 hektarësh në ngastrat 70 A, B, C, D, të ekonomisë pyjore rrotull, do të përdoret nga shoqëria “Omnix Albania”, për ndërtimin e një kompleksi turistik rezidencial.

Exit mobile version