Hetimet për vrasjen, ish-zyrtari i OSHEE-së jepte para me fajde

Vrasja e ish-drejtorit të Tensionit të Lartë për Veriun në OSHEE, Saimir Jaku mund të jetë kryer për shkak të konflikteve të mundshme, që kanë lidhje me dhënien apo marrjen e fajdeve në shuma të mëdha të parave. Të paktën kjo është një ndër pistat e hetimit, mbi të cilën po punon grupi hetimor. Të afërm të viktimës, që janë marrë në pyetje, kanë thënë se prej disa kohësh viktima merrej me këtë aktivitet, raporton TV “Klan”.
Pikërisht këto konflikte dyshohet se kanë qenë edhe shkaku i goditjes me armë të shtëpisë së tij një vit më parë. Sipas hetuesve, viktima mund të ketë patur konflikt me persona të tjerë dhe ngjarjen e një viti më parë ata e lidhin me një paralajmërim të mundshëm ndaj Jakut, për të ardhur më pas në eliminimin e tij fizik, këtë të premte.
Një aspekt që po analizohet me detaje është dhe mënyra tejet e ashpër e ekzekutimit të Jakut. Dëshmitarë okulare në vendin ku u vra Jaku thonë se, ekzekutori ka zbrazur të gjithë karikatorin e armës dhe është treguar i kujdesshëm, që mos prekte klientët e tjerë të lokalit ku ndodhi ngjarja.
Një 50-vjeçar, që gjendej me Jakun në tavolinë, u plagos aksidentalisht. Një ditë me parë TV “Klan” mësoi se automjeti që besohet të jetë përdorur nga autorët e vrasjes Saimir Jakut u gjet i djegur në Malësinë e Kurbinit, në fshatin Vinjoll. Automjeti tip “Mercedes Benz” rezulton i vjedhur në vitin 2015, në Kodër-Kamëz. Ai është i denocuar si i vjedhur nga pronari, ndërsa mësohet se tragat me të cilat lëvizte ishin false.
Dy personat që morën pjesë në atentat e kanë djegur makinën, duke humbur më pas çdo gjurmë. Ekspertët kanë këqyrur atë çfarë ka mbetur nga makina, por deri tani nuk kanë arritur asnjë element të vlefshëm për zbardhjen e krimit. Nga mënyra se si është kryer atentati grupi hetimor dyshon që kemi të bëjmë me vrasës me pagesë, megjithatë kjo pritet të konfirmohet gjatë hetimit.

Exit mobile version