Kryetari i degës së Demokratëve Euroatlantikë në Belsh, Blerim Kuqja, ka reaguar ashpër ndaj kryetarit të bashkisë Belsh, duke e cilësuar atë si një shembull të keqqeverisjes dhe arrogancës në kurriz të qytetarëve. Sipas tij, vendimi për rikthimin e tregut pranë qytetit, pas presionit të gjatë nga opozita dhe qytetarët, është një pranim publik i dështimit të kryebashkiakut.
Kuqja theksoi se eksperimentet e kryetarit, si investimi prej 25 milion lekësh për tregun e ri dhe projekte të tjera, kanë rezultuar në humbje të mëdha morale dhe ekonomike. Ai renditi një sërë problemesh, duke përfshirë investime të padobishme, mungesën e përmirësimeve infrastrukturore dhe injorimin e kërkesave të qytetarëve.
Kuqja kërkon dorëheqjen e kryetarit të bashkisë, duke theksuar se dështimet e tij po pengojnë zhvillimin e Belshit dhe po rëndojnë mbi qytetarët. Opozita, sipas tij, do të vazhdojë të mbrojë interesat e qytetarëve dhe të punojë për një ndryshim të vërtetë në Dumre.
Postimi i plotë i Blerim Kuqja:
“Një shembull i qartë i keqqeverisjes dhe arrogancës në kurriz të qytetarëve”
Pas muajsh presioni nga ana ime si nënkryetar i këshillit bashkiak dhe Kryetar i Partisë Demokratike Demokratët Euroatlantike, si dhe nga këshilltarët e grupit opozitar, më në fund përfundon vendimi i padrejtë i miratuar nga këshilltarët e majtë dhe kryetari i bashkisë. Kjo tregoi se këmbëngulja jonë nuk ishte thjesht një akt opozitar, por një e drejtë legjitime në mbrojtje të interesave të qytetarëve.
Falë qëndresës së tregtarëve dhe qytetarëve, të cilët dëshmuan qartë se zgjidhja e ofruar nuk ishte e përshtatshme për ta, kryetari i bashkisë ka marrë më në fund një vendim të vonuar. Megjithatë, ky vendim pati një kosto të lartë morale dhe ekonomike për qytetarët dhe tregtarët. Kthimi i tregut në vendin që i takon, pranë qytetit dhe qytetarëve, nuk është një akt përgjegjshmërie, por një pranim publik i dështimit të tij.
Edhe për këtë vendim, ai u përpoq të luante lojën e tij të zakonshme të arrogancës, duke kërkuar nga grupet e interesit një “provë trejavore” në tregun e ri. Rezultati? Një dështim total. Ai e di mirë se ky eksperiment ishte vetëm një përpjekje e kotë për të mbuluar humbjet që u ka shkaktuar qytetarëve, tregtarëve dhe bashkisë. Por nuk është kjo ajo që e shqetëson – halli i tij kryesor është justifikimi i investimit të pafrytshëm prej 25 milion lekësh (pa TVSH), një projekt pa asnjë të ardhme dhe pa asnjë mbështetje nga qytetarët.
Ky rast është vetëm maja e ajsbergut të një serie dështimesh të pafalshme që e karakterizojnë këtë kryetar:
1. Investime të paplanifikuara dhe të padobishme, si ndërtimi i pikave të grumbullimit që nuk funksionojnë dhe projekti absurd prej 612 milion lekësh për kullën në hyrje të Belshit – një simbol i kotësisë dhe keqmenaxhimit.
2. Nevoja kritike për një hidrovori për ujërat e zeza, e cila vazhdon të injorohet, ndërsa qyteti përballet me probleme sanitare.
3. Parkimi me pagesë, një tjetër dështim i qartë, që ka përfunduar në pamundësinë për të paguar punonjësit me rroga minimale.
4. Dështimi në menaxhimin e mbetjeve të gjelbra, veçanërisht në projektin e fshatit Trojas.
5. Injorimi total i kërkesave të qytetarëve, si:
• Pastrimi i kanaleve vaditëse, të domosdoshme për fermerët.
• Hapja dhe mirëmbajtja e rrugëve të arave, jetike për zonat rurale.
• Shtrimi dhe përmirësimi i rrugëve të lagjeve, si rruga Çestije-Fierzë.
• Shfrytëzimi i papërgjegjshëm i fondeve për shkollën dhe fushën sportive në Fierzë.
• Braktisja totale e kopshteve dhe arsimit parashkollor.
Një problematikë tjetër për qytetarët, sidomos për grupmoshat e reja, është mungesa e një klubi shum sportesh (futboll, lojra me dorë etj.), gjë që do të shërbente në angazhimin e të rinjve dhe në rritjen e nivelit të tyre kulturor. Kjo situatë nuk vjen si pasojë e mungesës së mundësive apo burimeve, por për shkak të një vendimi të qëllimshëm të kryetarit të bashkisë, i cili është shprehur hapur: “Nuk dua ta bëj.” Një qëndrim i tillë është jo vetëm i papranueshëm, por reflekton një mungesë vizioni dhe përkushtimi ndaj të rinjve, të cilët përbëjnë të ardhmen e qytetit dhe meritonin më shumë mbështetje.
Kryetari aktual nuk ka treguar vetëm paaftësi, por edhe një neglizhencë të qëllimshme që po i kushton qytetit rëndë. Qëndrimi i tij në detyrë është një barrë e padurueshme për qytetarët e Belshit dhe një pengesë për zhvillimin e qytetit.
Dora e tij e rëndë mbi buxhetin e bashkisë dhe mungesa e vizionit e bëjnë të domosdoshme largimin e tij. Për këto arsye, ai duhet të japë dorëheqjen menjëherë. Çdo ditë që kalon, Belshi humb më shumë.
Ajo që unë dhe grupi opozitar synojmë t’u sigurojmë qytetarëve të Dumresë është e qartë: ne do të jemi gjithmonë krah tyre, duke mbrojtur të drejtat dhe interesat e tyre pa kompromis. Ata mund të kenë një kryetar që i ka braktisur, por ne do të jemi gjithmonë këtu për t’u siguruar që asnjë qytetar nuk do të mbetet i haruar. Kryetari mund të fshihet pas fjalëve bosh, por ne do të jemi ata që do të veprojmë për të sjellë ndryshimin që Dumrea meriton.