Blerja e votave, Olsi Rama në terren me Tom Doshin

Kur kanë mbetur edhe katër ditë nga dita e zgjedhjeve, blerja e votave po intensifikohet çdo orë e më shumë duke nxitur një përmbysje të asaj që pritej për standardet e zgjedhjeve. Në të gjitha qarqet e vendit strukturat e majta janë duke ofruar dhe shpërndarë para me të gjitha mënyrat, duke kërkuar në këmbim votën për Edi Ramën. Në Qarkun e Shkodrës, rasti është më flagrant. Për këtë qark, Rama ndonëse jashtë listave të tij ka vendosur si mbikëqyrës Tom Doshin, i cili garon nën siglën e PSD dhe synon përmes shantazheve ndaj qytetarëve dhe blerjes masive të votave të marrë një mandat deputeti e më pas t’ia dhurojë atë Ramës. Që Tom Doshi është duke luftuar fort me para për të siguruar një mandat deputeti në Shkodër kjo nuk faktohet vetëm nga denoncimet e shumta të qytetarëve, por edhe nga kjo foto, e publikuar vetëm dy më parë në rrjetet sociale, ku Doshi shfaqet krah për krah me Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit. Takimi vjen në një kohë kur po bëhen llogaritë e fundit elektorale në tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve përmes blerjes së votës.

Shkodër, shpërndashen çeqe parash në këmbim të votës

Banorët e Nënshkodrës të përmbytur në vitet 2010-2011 nga hapja e portave të hidrocentraleve po përballen me një fenomen të çuditshëm, ditët e fundit të fushatës elektorale. Atyre po iu ofrohen dëmshpërblimet e dëmeve të shkaktuara në periudhë fushate. Ata thonë se po u kërkohet vota në këmbin të parave që u takojnë.

Dëmshpërblimet e përmbytjeve po i marrin vetëm ata të PS

Banorët e fshatit Rranxa në Bushat pretendojnë që dëmshpërblimet e përmbytjeve po i marrin në mënyrë selektive vetëm mbështetësit e Partisë Socialiste. Sipas banorëve shpërndarja e parave bëhet me një makinë të KESH, në shtëpi dhe lokale private dhe jo në zyrat e institucioneve shtetërore dhe se po u kërkohet vota në këmbim të parave që ju takojnë. Administratori i Anës së Malit, Arben Ceni deklaron se ai ka parë këto skena në fshatra, por zyrtarisht nuk është kontaktuar nga asnjë zyrtar i qeverisë, ministrive të linjës apo OSHEE. Ai thotë se është i gatshëm të bashkëpunojë pasi njësitë vendore i kanë të dhënat e familjeve.

Bashkia Mirditë, inaugurim elektoral me kandidatët e PS

Bashkia e Mirditës ka shfrytëzuar inaugurimin e një vepre publike të bëra me fondet bashkiake, për të ftuar kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste, parti të cilës i përket edhe vetë kryebashkiaku Ndrec Dedaj. Teksa është inauguruar sheshi “Abat Prend Doçi”, Bashkia ka organizuar edhe një koncert festiv me rastin e përurimit të këtij sheshi, ndërsa me qindra njerëz u mblodhën për të festuar. Para qytetarëve kanë mbajtur fjalime elektorale duke kërkuar votën për PS-në, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, si dhe të pranishme dy kandidatet për Qarkun e Lezhës për PS-në, Lindita Nikolla dhe Edona Daçi.

Kandidati i PS-së në Berat përdor imazhin e fëmijëve për të mbledhur vota

Kandidati i Partisë Socialiste në Qarkun e Beratit, Fadil Nasufi shfrytëzon imazhin e fëmijëve për të mbledhur vota. Braktisja nga ana e qytetarëve ka vendosur në lëvizje kandidatët e Rilindjes. Duke përdorur fëmijët, kandidatët për deputetë kërkojnë të përçojnë tek prindërit votues, imazhin e politikanëve të dashur e të ndjeshëm ndaj problemeve të tyre.

Kryetari i PS-së në Shijak shpërndan çertifikata legalizimi

Kryetari i PS-së për Shijakun, Elton Arbana shpërndan çertifikata legalizimi për anëtarët e partisë. Ky veprim është bërë publik nga vetë ai, pak përpara fushatës zgjedhore, teksa shfaqet në foto me përfituesin, dhe çertifikatën e pronësisë. “Socialisti i vjetër, shoku… ju bë ëndrra realitet duke u bërë pronar vetëm nga Partia Socialiste e Shqipërisë”, shkruan ndër të tjera Arbana. Në këto kushte, asetet publike, pra funksioni publik i Drejtorisë së Legalizimeve, është përdorur përmes kryetarit të partisë, i cili nuk ka detyrë shtetërore dhe asnjë lidhje me procesin e legalizimeve drejtpërsëdrejti.

Box poshte
Denoncimi i barinjve: LSI na bllokoi kullotat për votën
Barinjtë e fshatit Zhulat nuk po u jepen kontratat e përdorimit vjetor të kullotave nga Bashkia e Gjirokastrës. Ata shprehen se kontratat mbahen qëllimisht pasi u bëhet presion për të votuar LSI-në. Në rrëfimet e tyre tre barinj të fshatit mes të cilëve Agron Vrekaj, akuzojnë haptazi se Drejtoria e Kullotave në Bashkinë e Gjirokastrës që kontrollohet nga LSI, nuk u jep kontratat para datës 25 qershor me qëllim që ata dhe familjarët e tyre të votojnë LSI. Kjo situatë është bërë shumë problematike në mbarë zonën ndaj barinjtë të gjendur përballë këtij fakti, kanë denoncuar fenomenin e presionit që ushtrohet ndaj tyre, nga ana e drejtorit të Kullotave dhe Bujqësisë në Bashkinë e Gjirokastrës, Adi Matushi. Veç kësaj barinjtë kanë pretendime se asnjëherë nuk kanë marrë subvencione për mbarështimin e krerëve nëse nuk je anëtar i LSI-së.

PS “miklon” votuesit e Tiranës me darkë në restorant

Partia Socialiste në Njësinë 3 në kryeqytet ka mbledhur disa familje në një darkë në një prej restoranteve të zonës, darkë në të cilën, kandidatja përgjegjëse për zonën, Olta Xhaçka ka shpalosur programin politik të Ramës. Në darkë kanë qenë mosha të ndryshme, ku përveç të ushqyerit dhe fjalimit të Xhaçkës, votuesit, edhe kanë kërcyer së bashku me kandidaten. Darkat, sidomos në këtë fushatë që përkon edhe me muajin e Ramazanit, janë bërë të shpeshta si mënyrë joshëse për votuesit.

Fëmijë dhe punonjës të administratës në fushatën e LSI

Fëmijë dhe punonjës të administratës në fushatën e Brunilda Paskalit, kandidate e LSI për Qarkun e Korçës. Në fushatën e LSI për Qarkun e Korçës të kandidates Brunilda Paskali shihet përdorimi i fëmijëve dhe gjithashtu shoqërimi nga punonjës të administratës. Përkatësisht ka qenë e pranishme edhe nënkryetarja e Bashkisë Korçë, znj.Floalda Strati.

Kandidatët e PDIU dhe LSI kërcënojnë përfaqësuesit e PS

Tre anëtarë të PDIU-së dhe një i LSI-së janë denoncuar në polici për kanosje të përfaqësuesve të PS-së në Gramsh. Policia e Elbasanit ka dalë në një deklaratë zyrtare për procedimin në gjendje të lirë të shtetasve B.B., V.B., dhe M.H., përkatësisht 35, 31 dhe 25 vjeç, që të tre banues në Gramsh pasi si përfaqësues të subjektit politik të PDIU-së dyshohet të kenë kanosur shtetasin A. Xh., 37 vjeç para dyqanit të tij në qytetin e Gramshit, i cili deklarohet si anëtar i Partisë Socialiste. Ndërkohë në të njëjtën ditë ka filluar procedimi në gjendje të lirë ndaj shtetasit A.Qafoku, 40 vjeç me banim në Tiranë, i njohur si përfaqësues i LSI-së pasi në një lokal në qytetin e Gramshit ka penguar kryetarin e FRESSH-it Gramsh, Enis Zani, të zhvillojë një aktivitet politik së bashku me përfaqësues të tjerë të PS-së. Ndërkohë edhe një tjetër incident është regjistruar në Gramsh ku një përfaqësues i LSI-së, shtetasi A.K., është goditur po në lidhje me aktivitetin e tij politik. Gjithsesi në këtë rast nuk ka pasur një denoncim në polici. I kontakuar, kryetari i PS-së Gramsh Klodian Taçe konfirmoi incidentet. Ndërkohë kandidati për deputet i PDIU-së Dritan Bici i cilëson shpikje të PS-së për të justifikuar humbjen.

Spiropali në Korçë, shfrytëzon ambientet e shkollës për fushatë

Kandidatja e Partisë Socialiste në Qarkun e Korçës, Elisa Spiropali ka shfrytëzuar ambientet e një shkolle 9-vjeçare për të kërkuar votën e banorëve. Pavarësisht se shfrytëzimi i institucioneve publike për qëllime elektorale përbën shkelje, për ish-drejtoreshën e Doganave, partia është mbi gjithçka.

Kreu i PS-së shtron rrugë në Lezhë në prag të zgjedhjeve

Rreth 5 km rrugë në fshatin Troshan, Njësia Administrative Blinisht në Lezhë janë sistemuar me çakull, nga kryetari i Partisë Socialiste për Blinishtin, Viçens Tuku. Ky fakt konfirmohet edhe nga banorë të zonës dhe gjithçka ka ndodhur në prag të zgjedhjeve.

Punonjësit dhe mjetet e Bashkisë Fier në dispozicion të mitingut të PS-së

Punonjësit dhe mjetet e Bashkisë Fier janë angazhuar në përgatitjen e ambienteve të sheshit qendror të qytetit të Fierit ku të hënën, më datë 19 qershor 2017, në orën 19:00, u zhvillua mitingu i Partisë Socialiste ku ishte i pranishëm kryetari i saj, Edi Rama.

Bashkia e Poliçanit rrit përfituesit me ndihmë ekonomike për vota

Bashkia e Poliçanit ka rritur ndjeshëm numrin e personave që do të përfitojnë ndihmë ekonomike në këto zgjedhje. Prej gati dy muajsh vetëm në fshatin Tomorr i Vogël, banorët janë futur në skemën e ndihmës ekonomike në këmbim të votës më 25 qershor. Konkretisht: R.B., F.Sh., Z.Sh., A.B., iu duhet që t’u përgjigjen me votë Partisë Socialiste nëse duan që të jenë pjesë e skemës.

Kërcënohet me vendin e punës nëse nuk del në miting

Kërcënohet me vendin e punës nëse nuk do të jetë pjesëmarrës në mitingun e partisë në Tiranë. Sotir Lilo, punonjësi i nënstacionit të tensionit të lartë në Zëmblak të Korçës ka denoncuar dhunën verbale karshi tij nga ana e drejtoreshës së Operatorit të Tensionit të Lartë në këtë nënstacion, Jorida Rëmaçka. Në denoncimin e tij Lilo bën me dije se pak ditë më parë, drejtoresha e ka thirrur në zyrë duke i kërkuar që të jetë pjesë e mitingut që LSI-ja zhvilloi të enjten e kaluar në Tiranë. Por në momentin kur Lilo e ka refuzuar një urdhër të tillë, drejtoresha e ka kërcënuar verbalisht duke i kujtuar se ai ka edhe dy vjet punë para daljes në pension. Nga ana tjetër drejtoresha e Operatorit të Tensionit të Lartë në Zëmblak, Jorida Rëmaçka e kontaktuar në telefon ka mohuar një akuzë të tillë duke e quajtur të pavërtetë denoncimin e bërë nga punonjësi i saj, por nuk ka pranuar të mbajë një deklaratë zyrtare.

Exit mobile version