Shkodra votë masive, ribën historinë të dielën

Lulzim Basha u kërkoi qytetarëve të Shkodrës të votojnë masivisht ditën e dielë dhe të zgjedhin programin e Partisë Demokratike si zgjedhja e vetme për të rritur ekonominë. Basha tha se, plani i tij do të ulë taksat për biznesin, do të rrisë konsumin do të sjellë më shumë para në xhep për qytetarët, do të mbështesë fermerët me para në dorë, do të ketë stazhe të paguara për të rinjtë. “Me datë 25 qershor, këtë të dielë të madhe, të këtij bashkimi gjigant të shqiptarëve, ju që nuk e keni ndarë mendjen nuk do të votoni për asgjë tjetër përveçse nëse do të kemi një ekonomi të fortë, apo jo. Nëse do të kemi taksa të ulëta që të rrisim ekonominë, apo jo. Nëse paratë e shqiptarëve do të shkojnë për shkollat e fëmijëve, për shëndetësinë e familjarëve, për Universitetin e Shkodrës dhe rininë me stazhe pune apo për fasada, palma, zyra e për makina. Kjo është zgjedhja që bëni në datën 25 dhe për këtë zgjedhje, ju shkodranë akoma të pavendosur dhe kushdo në Shqipëri që nuk e ka vendosur ende për votën; keni një alternativë, një plan ekonomik, me vulat e këshilltarëve të Angela Merkel, që është plani ekonomik i Partisë Demokratike. Plan për uljen e TVSh-së që do të çlirojë 400 milionë euro në ekonomi, për taksën e sheshtë 9%, me uljen e çmimit të energjisë, me faljen e kamatvonesave abuzive për të gjithë shqiptarët, me heqjen e lakut në fyt, represionit dhe terrorit mbi biznesin e vogël. Ulja e taksave është thelbësore për investimet e brendshme dhe të huaja, vetëm kështu rritet ekonomia. Ky është mësimi i Europës. Ky është mësimi i Gjermanisë. Kjo është përpjekja e Presidentit Donald Trump. Ky është programi i Partisë Demokratike dhe ky është zotimi im para shqiptarëve”, tha Basha.

Askush nuk harron premtimet e pambajtura

Teksa shpalosi planin ekonomik të Partisë Demokratike, u shpreh se Edi Rama dhe Ilir Meta flasin sikur të ishin bashkëkryetarë të opozitës. Sipas tij, në këto 4 vite, ata kanë qenë bashkëkryetarë të qeverisjes së krimit dhe korrupsionit. “Edi Rama dhe Ilir Meta po flasin sikur të ishin bashkëkryetarë të opozitës, por ishin bashkëkryetarë të qeverisjes së krimit dhe korrupsionit dhe të mashtrimeve. Nuk mbajti asnjë premtim Edi Rama, sepse prioritetet e tij nuk ishin prioritetet e njerëzve. Tash pas 4 vjetësh e pas 4 javësh cirk e estradë tash del me premtime të tjera. Njeriu që premtoi shëndetësi falas, që mbushi xhepat e 5 oligarkëve me 550 milionë euro të taksave të shqiptarëve të varfëruar thotë më duhen edhe 4 vjet për shëndetësi falas. Nuk kanë fytyrë të dalin përpara Shkodrës. Njëri flet për krim e drogë, tjetri për tepsi, korrupsion dhe emërime korruptive, njëri për korrupsion e tendera e tjetrit për oligarkë, a thua nuk ishin këta që na qeverisën. A nuk ishin këta që sollën mijëra të zeza mbi Shqipërinë dhe larguan qindra e mijëra shqiptarë”, tha Basha. Duke folur për timonin e qeverisjes, Basha tha se në Evropën demokratike askush nuk e ka timonin i vetëm, por shtoi se jo timoni, por duhet forcuar motori i ekonomisë, për të cilën premton taksa më të ulëta. “Opsionin për pushtetin tani e do vetëm. Jo timoni, por motori duhet rregulluar, motori është ekonomia e fortë pa të cilën nuk do të ketë të nesërme të sigurt. Sa për timonin kurrë nuk do të ketë timonin vetëm një politikan në Shqipëri. Nuk funksionin kështu demokracia e re. E dini edhe ju që tashmë keni vizituar Evropën. E di edhe rinia, e cila nuk do të pranojë më kurrë zakonet e vjetra, timonin në duart e një politikani. Evropa është Evropë, sepse timonin e ka çdo qytetar në duart e veta”, tha kreu i PD. Kreu demokratik u shpreh gjithashtu se, ndryshime kanë ndodhur në Evropë dhe në Amerikë. “Evropa dhe Amerika i kanë sytë e shpresës tek Shqipëria. Bota po ndryshon, por jo Shqipëria këto 4 vite më parë, koalicioni i krimit, drogës, korrupsionit dhe mashtrimit zuri jetë këtu në Shkodër. Zgjodhi koalicioni i antivlerave të zinte embrionin këtu, në Shkodrën e virtytit për t’i bërë karshillëk shqiptarëve të ndershëm dhe për të hedhur hijen e saj të zezë 4 vite mbi Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë”, tha kreu i PD.

Forcim institucioneve shtetërore

Basha tha gjithashtu se Reformën në Drejtësi askush nuk e ndal dot më, teksa shtoi se “institucionet e shtetit vetëm sa do të forcohen në Republikën e re”. Kryedemokrati Lulzim Basha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama nga Shkodra për mosmbajtje të premtimeve dhe diskriminimin e këtij qyteti. Basha tha se ky qytet, ku 4 vjet më parë PS-LSI, firmosën koalicionin, u kthye në mallkim për Ramën e Metën. Ai deklaroi se, Rama e Meta bëjnë sot opozitën duke qenë për 4 vite bashkëkryetar të qeverisjes. “S’mund ta ketë kurrë bekimin e Shkodrës, vesi, as gënjeshtra, as mashtrimi. Shkodra u kthye në mallkim për koalicionin e mashtrimeve e kriminelëve. Ja ku vijnë pas 4 vitesh si klounë cirku, si palaço estradash, bëjnë opozitën e njëri-tjetrit bëjnë sikur nuk kanë qeverisur. Njëri flet për krim e drogë, tjetri për tepsi, a thua nuk ishin këta që na qeverisën për 4 vite, që nuk sollën qindra e mijëra të zeza për Shkodrën. Askush nuk e harron, ju të gjithë e dini, Shkodra e mban mend. Edi Rama premtoi 300 mijë vende pune, shëndetësi falas, ulje të taksave për 95% të shqiptarëve, legalizime falas, shtet ligjor dhe rend. Nuk i mbajti këto premtime, e mbushi Shqipërinë me drogë, i rri taksat, qindra mijëra shqiptarë dolën nga puna. Nuk e harron Shkodra diskriminimin krahinor, 4 vite urrejtje të derdhur nga Edi Rama mbi Shkodrën. Nuk e harron Shkodra dhe shkodranët, harresën që iu bëri njeriu që iu premtoi subvencione dhe iu ktheu shpinën. Edi Rama dhe Ilir Meta po flasin si kryetarë të opozitës në këto 4 ditët e fundit, por ishin bashkëkryetar të qeverisjes së mashtrimeve”, tha Basha. Ai akuzoi kreun e qeverisë se, mbushi xhepat e oligarkëve nga xhepat e shqiptarëve. “Tash pas 4 vjetësh, pas 4 javësh cirk e estradë doli me premtime të tjera. Njeriu që premtoi shëndetësi fals dhe mbushi xhepat e 5 oligarkëve me 550 milionë euro nga xhepat e shqiptarëve”, u shpreh Basha.

E vetmja forcë me një plan ekonomik është PD, është numri 6

Lulzim Basha u shpjegoi qytetarëve në Lezhë planin e tij që ndez motorin e ekonomisë në vend, me ulje taksash, me ndihmë për fermerët, të rinjtë. Masa të kombinuara që do të sjellin rritje konsumi e prodhimi dhe vende të reja pune. Lulzim Basha u tha qytetarëve në Lezhë, se i vetmi plan ekonomik që diskutohet sot në këtë fushatë, është plani i tij ekonomik. Ai ka një plan ekonomik konkret të realizueshëm, të kombinuar me shumë masa që funksionojnë në harmoni me njëra-tjetrën, që do të sjellë rritje konsumi, rritje prodhimi, vende të reja pune, mbështetje për të rinjtë, për fermerët, e shtresat në nevojë. Ulja e taksave do të ndihmojë biznesin të ringrihet. Basha tha se pala tjetër ka vetëm fjalë, e premtime boshe si 4 vite më parë. “Edi Rama ju premtoi dhe nuk i mbajti premtimet. E para, sepse nuk ju kishte prioritet, e dyta, sepse nuk kishte plan se nuk dinte, nuk donte të merrej me motorin që është ekonomia, por vetëm me timon që është pushteti i tij dhe i çetës së tij që është pasuruar këto 4 vite. Mbaje mend. Ua thanë sot edhe mediat gjermane. E vetmja forcë me një plan ekonomik është Partia Demokratike, është numri 6. Një plan për të ulur taksat, për të ulur TVSh-në në mënyrë që qindra milionë euro të vërshojnë në ekonomi. Të rrisim konsumin, të rrisim prodhimin përmes rritjes së prodhimit të tërheqim zinxhirin e rritjes ekonomike për vende pune, me mundësi punësimi për të gjithë. Në veçanti, për rininë e cila me mua kryeministër do të ketë 10 mijë stazhe pune çdo vit të paguara. Fermerë të Lezhës, Kurbinit, Mirditës e gjithë Shqipërisë, ju të harruarit e mëdhenj, ju të braktisurit e mëdhenj të republikës së vjetër, të premtimeve të pambajtura të Edi Ramës, jeni të vetmit në Europë që nuk merrni subvencione. Plani im, jep 100 milionë euro në vit për çdo fermer pa burrokraci, pa nipt”. Unë kam një plan me shkurtimin total të shpenzimeve luksoze për zyra, për orendi dhe shpenzime qeveritare. Me anulimin e koncensioneve korruptive do të nisim që këtë vit rritjen e pensioneve për 650 mijë pensionistët shqiptarë. Dhe brenda 4 viteve, pensioni minimal do të arrijë 25 mijë lekë të reja për çdo pensionist. Edi Rama flet në këtë fushatë për gjithçka, përveç ekonomisë. Obsesioni i tij është timoni, obsesioni i tij është pushteti. A na duhen edhe 4 vjet të tjera një njeri me pushtet absolut që nuk mban premtimet?! Gjithçka tjetër është fjalë boshe. Siç i thoshte Fishta; dokrra hini për t’u tërhequr vëmendjen.

Exit mobile version