Përplasja me Shqipërinë në sfidën parë të Grupit A të eliminatoreve të Europianit, i ka detyruar zviceranët të rrëmojnë më shumë në kulturën shqiptare, ose më saktë të analizojnë prejardhjen e emrave të futbollistëve me origjinë shqiptare që përfaqësojnë Zvicrën. “Blick” përpiqet t’u shpjegojë tifozëve helvetë se cila është domethënia e emrave të Behramit, Shaqirit, Xhakës, Dzemailit apo Mehmedit.
Valon, shpjegon “Blick” ka të bëjë me fjalën valë apo impuls. Në shqip lidhet fluturim, rrëmbim, pra ka konotacion patriotik. Në serinë e emrave patriotikë është edhe ai i Shaqirit. Gjerdani është mbajtësja e fishekëve të armëve të luftëtarëve. Në këtë rast zviceranët shpresojnë se Shaqiri ta ketë mbushur me fishekë gjerdanin e tij në sfidën me kuqezinjtë.
Më paqësor, sipas “Blick”, është emri i Dzemailit. Blerim do të thotë lulëzim. Dëshira e tifozëve të Zvicrës është që Dzemaili të lulëzojë në Europian, si në ndeshjet e fundit miqësore. Emri i Granit Xhakës ka të njëjtin kuptim si në shqip ashtu edhe në gjermanisht. Është emri i një shkëmbi të fortë, që simbolizon fuqinë dhe paprekshmërinë.
Por jo të gjithë emrat e shqiptarëve, shpjegon “Blick”, lidhen me forcën apo trimërinë. Admir apo Burim, janë emra që shprehin gëzim, hare. Zviceranët shpresojnë që anën patriotike lojtarët kuqezi ta shfaqin jo në sfidën e parë me Zvicrën, por me Francën dhe Rumaninë.