Zv/trajneri i Kombëtares shqiptare, Paolo Tramezzani, komenton në mediat italiane ecurinë e fazës përgatitore dhe pritshmëritë që stafi ka nga skuadra kuqezi në Euro 2016. Në intervistën dhënë për Radion “Lazio Style”, numri 2 i stolit të Shqipërisë ndalet fillimisht te faza përgatitore, duke theksuar se gjithçka po ecën sipas parashikimeve. “Kjo është hera e parë që ndodhemi në europian dhe emocionet janë të mëdha. Berisha dhe Cana? Etriti është shumë i rëndësishëm për ne, madje shumë herë është shfaqur vendimtar, ndërsa Loriku është simboli i kësaj skuadre”, nënvizon ndihmësi i trajnerit De Biasi.
Në vijim të intervistës, Tramezzani e pranon se Cana ka kaluar disa probleme fizike, por shton se kjo nuk do ta pengojë për të dhënë maksimumin në fushën e lojës. Tramezzani shprehet gjithashtu se mungesa e eksperiencës mund të jetë problemi më i madh për Kombëtaren Shqiptare. “Jemi kualifikuar në Europian, pasi kaluam skuadra shumë të forta. Shqipëria i ka përmirësuar ndjeshëm paraqitjet gjatë muajve të fundit, sepse luan me zemër dhe grintë, duke mbuluar edhe limitet teknike. Skuadra nuk duhet t’i humbasë këto cilësi edhe në ndeshjet e ardhshme”, nënvizon zv/trajneri italian.