Blushi-Klosit: Mblidhje letrat në koshin e plehrave të Meksit

Është nxehur situata në Parlament gjatë kohës që në foltore ishte deputeti i LIBRA-s, Ben Blushi. Ndërsa Blushi po akuzonte kreun e KQZ dhe mazhorancën se duan ta lënë jashtë zgjedhjeve siç bënë me Partinë Socialiste, përmendi edhe disa prej emrave më të lakuar të bashkiakëve të PS-së, si Elvis Rroshi dhe Vangjush Dako. Në këtë moment ka ndërhyrë nga vendi ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi. “Ça thua more. Ça thua more debil”, i është drejtuar Klosi, Blushit. Kaq është dashur dhe deputeti i LIBRA-s ka shpërthyer në akuza ndaj ish-kolegut të tij duke e quajtur parazit. “Ju mendoni se Vangjush Dako është krenari se fundos 2000 vjet me 4 mln euro. Parazit, pusho ti parazit që paguhesh 1 mijë euro në muaj nga Vangjush Dako. Këta janë parazitët e Rilindjes. I kam sjellë vetë dhe më vjen keq, parazit. E kam gjetur duke punuar për Meksin më 1996, mblidhte letrat në kosh të plehrave, e ngjita në kat të dytë këtë halabak, vartësin e Vangjush Dakos. Nuk ja vlen të nxehesh me këta parazitë, parazitin e Vangjush Dakos. Shko në bashki merr rrogën në fund të muajit aty te rrënojat turke mos të hedh Vangjushi ndonjë kacidhe”, tha Blushi. Blushi i është përgjigjur edhe kreut të KQZ-së, Denar Biba. Ai e krahasoi sjelljen ndaj tij të njëjtë me konfliktin kur ishte në PS. “Jeni në një debat brenda jush se si do e zgjidhni presidentin para apo pas zgjedhjeve. Jemi deputetë në qershor, në korrik, gusht. Jemi deputetë deri më 5 shtator. Denar Biba duhet ta kishte emrin Krenar Biba, ose krenar që jam bibë. Është si historia që më ka ndodhur para 1 viti dhe e ndryshonit çdo natë statutin e PS-së. Derisa vendosët se kryetari i PS-së nuk është ai që votohet, por ai që zgjedh Ilir Meta si kryeministër. Doni të më hiqni prapë. Denar Biba thotë se mund ta ndryshojë Kodin Zgjedhor me një vendim KQZ-je, totalisht qesharak. A ka një parti që i vjedh vota partisë së vet, për të mos më futur mua në zgjedhje?”, tha Blushi.

Exit mobile version