Boca Juniors pranë gjysmëfinales

Misioni i Carlos Tevez për të fituar një tjetër Copa Libertadores me Boca Juniors pas asaj të vitit 2003 vazhdon. Skuadra nga Buenos Aires me Apashin në fushë hodhi një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në gjysmëfinalet e këtij kompeticioni, pasi barazoi 1-1 në transfertën e Uruguait përballë vendasve të Club Nacional. Ishin miqtë që kaluan të parët në avantazh, pikërisht me mbrojtësin e krahut të majtë Fabra, i cili në minutën e 70-të i shërbyer nga Chavez goditi saktë brenda zone, duke mposhtur portierin Conde. Por, avantazhi i Boca Juniors nuk zgjati shumë, sepse Club Nancional vuri sërish barazpeshën, 6 minuta më pas kur Fernandez me një goditje fluturimthi e dërgoi topin në fundin e rrjetës. Goli i barazimit ngriti peshë tifozët e pranishëm në stadiumin “Gran Parque Central” të Montevideos, ndërkohë që nga ana tjetër dëshpëroi në maksimum trajnerin e ekipit argjentinas Schelotto.
Në ndeshjen tjetër çerekfinale Rosario Central kaloi 1-0 kolumbinët e Atletico Nacional, duke hedhur një hap të sigurtë drejt fazës tjetër në Copa Libertadores. Finalizimi i Montoyas që në minutën e 5 ishte i mjaftueshëm për skuadrën argjentinase që tashmë në Kolumbi për ndeshjen e kthimit dukshëm është e favorizuar.

Exit mobile version