Ironizohet Guardiola

Tripleta nuk u realizua, por fitoi tri herë radhazi titullin. Në cilin vend pozicionohet Pep Guardiola në historinë e trajnerëve të Bajernit? Cili është numri 1 mes emrave të mëdhenj dhe legjendave të rekordmenëve? Dy pyetjeve të mësipërme u ka dhënë përgjigje rekordmeni gjerman Lotar Mateus, i cili luajti për Bajernin në vitet 1984-1988 dhe 1992-2000.
Për shumë analistë është surprizuese që Mateus rendit Guardiolën në vend të gjashtë. Dhe çudit nga ana tjetër që e vendos spanjollin poshtë Çik Çajkovskit, të cilin e rendit në vend të katërt, edhe pse nuk fitoi asnjë titull në krye të bankinës bavareze.
“Natyrisht renditja që kam bërë nuk është totalisht objektive. Ajo bazohet më shumë tek eksperienca dhe shija që u ka lënë tifozëve. Titujt nuk luajnë rol kyç duke iu referuar situatës dhe gjendjes ndër vite që Bajerni ka përjetuar.
Duhet pasur parasysh dhe u dhënë përgjigje pyetjeve: Si ka qenë Bajerni nga ana financiare dhe çfarë konkurrentë kishte? Sipas mendimit tim ishte shumë e vështirë ta çoje titullin në Mynih para 20 vitesh, sesa në ditët e sotme ku Bajerni nuk ka konkurrencë”, sqaron kampioni i botës 1990, duke shtuar: “Me disa prej trajnerëve shkoja shumë mirë, ndërsa me disa të tjerë pata probleme.
Për sa i përket Guardiolës, suksesin madhor të pritshëm në tri vite nuk e arriti, pasi i humbi shanset që një javë më parë ndaj Atletiko Madridit. Pep vërtet nuk e fitoi Championsin, por në konkurrencën kombëtare pati sukses. Ai i ndryshoi stilin e lojës, i dha dimension tjetër duke përmirësuar lojtarët. Por, Guardiola nuk u fut kurrë në zemrat e tifozëve. Kjo është diferenca mes tij dhe trajnerëve të renditur para tij”.
Të gjithë janë të impresionuar nga aftësia njerëzore dhe sportive e ish-trajnerit Jup Hajnkes, i cili ka korrur suksese si me Bajernin, Gladbahun, Leverkusenin dhe Realin e Madridit. Mateus ka qenë një nga “nxënësit” e 71-vjeçarit gjerman.
“Për Hajnkesin kam debulesë të veçantë. Ai më zbuloi te Gladbahu. Te Bajerni ai nuk arriti dot të fitonte zemrat e bavarezëve gjatë angazhimeve. Qëndrimi ndryshoi në vitin 2013, kur ai fitoi tripletën e parë në historinë e Bajernit. Imazhin dhe vlerësimet ndaj tij nuk u shuan edhe me ardhjen e Pep Guardiolës”, përfundoi Mateus komentin e tij në “Sportbild”.

Exit mobile version