Bonuçi, goditja e madhe e Barçës?

E ardhmja e Lenardo Bonuçit vazhdon të mbetet një dilemë. Prej javësh qarkullojnë zëra për një largim të mundshëm të mbrojtësit të Juventusit. Në ndjekje të italianit janë Man.City dhe Chelsea, por në skenë është shfaqur edhe një tjetër kandidat, Barcelona. Është e vështirë të thuash se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e Bonuçit, askush nuk flet dot me siguri se ai do të vazhdojë të jetë lider i repartit të prapavijës tek bardhezinjtë. Madje, vetë drejtuesit e Juventusit duket se janë të gatshëm ta lënë të lirë 29-vjeçarin, nëse në tavolinë u paraqitet një ofertë që shkon mbi 50 milionë euro. Sigurisht që nga ana tjetër duhet marrë parasysh edhe dëshira e futbollistit, i cili në disa raste i ka premtuar publikisht besnikëri “Zonjës së Vjetër”.
Pas dy skuadrave nga Premier League, tashmë janë edhe katalanasit ata që shohin tek Bonuçi një emër që fal siguri në mbrojtje. Me ardhjen e teknikut Valverde në krye të stolit blaugrana, skuadra do të kryejë edhe disa transferime në repartet ku është mëse e domosdoshme të ndërhyhet dhe mbrojtja e Barcelonës është një sektor që të paktën këtë sezon ka hasur jo pak probleme. Ende nuk ka ndonjë ofertë zyrtare, por shumë shpejt mes palëve do të pritet të ketë një takim. Sigurisht që largimi i Bonuçit do t’u sillte të ardhura të mëdha kampionëve të Italisë.
Barcelona gjithashtu po vëzhgon nga afër talentin 21-vjeçar Dani Ceballos. Kartoni i futbollistit është në pronësi të Betis dhe vlera e klauzolës së tij është 15 milionë euro. Shumë, të cilën katalanasit janë shprehur të gatshëm ta paguajnë.

Exit mobile version