Mund të jenë ngërçet e viteve që kalojnë dhe që nuk falin askënd, ose thjesht janë disa shpërqendrime momentale, ndonëse fakt është që “muri” bardhezi po shfaq disa “vrima” në këtë sezon, pas pesë vitesh krenarie. Mbase, dëmtimet e shpeshta të Kielinit dhe Barzaljit kanë ndikuar, por një “tullë” që duket e palëvizshme dhe që ofron garanci, si në radhët e “Zonjës së Vjetër”, ashtu sikurse në kombëtare, është Leonardo Bonuçi, i cili nuk ka ndërmend që të dorëzohet, por kërkon të mbajë lart “murin” e shumë lakmuar për vite me radhë.
Dhe në mungesë të dy shokëve të tij të repartit do t’i takojë sërish 29-vjeçarit që të mbajë në këmbë repartin e prapavijës, jo vetëm duke tentuar të ndalë kundërshtarin, por edhe ta sulmojë, më saktë ta kërcënojë atë.
“Unë jam një person objektiv, realist dhe nuk kam frikë ta pranoj se nuk po ofrojmë një futboll të bukur. Por jemi vetëm në nëntor dhe kohë për t’u përmirësuar fatmirësisht ka mjaft. Në këtë moment ka rëndësi që të bëjmë pikë, pastaj në janar apo shkurt mund të stërvitemi me më shumë vazhdimësi dhe të provojmë diçka të re.
Çfarë na mungon? Gati gjysmë ekipi jashtë që nga fillimi i sezonit. Me rikuperimin e plotë të Kielinit dhe Barzaljit do të rritet siguria, me Dibalën dhe Pjacën do të rritet niveli i stërvitjeve, por mbi të gjitha ai i ndeshjeve. Madje, jam i lumtur që deri në këtë pikë vetëm na kanë kritikuar, vetëm na kanë sulmuar. Me sa duket, nuk kanë mësuar nga vitet e kaluara”, u shpreh Bonuçi.