Milan-Inter, mbështetja e tifozëve

Vetëm derbi i Milanos mund të garantojë një përfshirje kaq të madhe midis sportistëve anembanë globit që bëjnë tifo për Milanin ose Interin. Kuqezinjtë janë skuadra që në ADN ka shumë italianë, këtë e vërteton edhe fusha, teksa kujtojmë se sivjet ekipi i Montellës mbështetet te futbollistët vendas dhe të rinj në moshë. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për tifozët. Por ngjyrat kuqezi tërheqin edhe “big”-ët e huaj si tenisti Novak Xhokoviç apo ish-basketbollisti i famshëm Kobi Brajant. Një tifoz i thekur është edhe ish-piloti i Ferrarit, Felipe Masa, i cili ka origjinë italiane. Ndërsa Interi, i cili në vitet e fundit numëron shumë pak futbollistë italianë në organikë, gjen “ngushëllim” te tifozët.
Tenistët që mbështesin ngjyrat zikaltër janë: Fabio Fonjini, Kamila Xhorxhi dhe Françeska Skavone, kundërshtarja e kësaj të fundit, Flavia Peneta është e çmendur pas “Djallit”. Dikush mendon se edhe Usain Bolt, njeriu më i shpejtë i planetit, bën tifo për Interin, pasi disa herë ka qenë i pranishëm për të ndjekur zikaltrit, por bëhet fjalë vetëm për një simpati, pasi xhamajkani ka theksuar gjithmonë se mbështet Mançester Junajtid.
Derbi i Milanos është shumë i ndier edhe në NBA. Lojtari më i mirë italian, Danilo Galinari, është milanist, ndërsa qysh në fëmijëri Marko Belineli bën tifo për Interin. Kuqezinjtë mund të “fryjnë gjoksin” në këtë kampionat me një ndër basketbollistët më të mirë të historisë, Kobi Brajant, i cili shpeshherë ka vizituar ekipin edhe në “Milanello”.
Mirëpo, nuk mungon as dueli i shpejtësisë, të cilin e fiton Interi. Zikaltrit kanë në krahun e tyre motoçiklistin më të fortë, Valentino Rosi, i cili me shumë mundësi do të jetë i pranishëm në “San Siro”, ndërsa Milani kundërpërgjigjet me pilotin e Dukatit, Andrea Ianone.

Exit mobile version