Antonio Konte rrezikon shkarkimin e bujshëm nga Çelsi. Bookmakersat në Britaninë e Madhe janë të bindur për këtë. Shumë kompani bastesh e kanë ulur ndjeshëm kuotën për largimin e trajnerit italian nga pankina e bluve të Londrës, ndërkohë që Betway dhe Paddy Power e kanë pezulluar vënien e basteve për këtë çështje. Sipas Bookmakersave, Konte konsiderohet si kandidati i tretë për t’u shkarkuar nga detyra e tij pas Slaven Bilic të West Ham dhe David Moyes të Sunderland.
Sigurisht këto kuotime për të ardhmen e trajnerit italian nuk janë pëlqyer aspak nga tifozët e Çelsit që kanë dalë në mbrojtje të Antonio Kontes. Nuk janë të paktë ata që nëpërmjet rrjetit social Twitter kanë ngritur pyetjen se përse duhet shkarkuar Konte nga Çelsi, pavarësisht se klubi londinez gjendet në vendin e 7 në Premier League i shkëputur me 6 pikë nga kryesuesit e Manchester City.