Nishani: PAMECA doli jashtë statusit të saj, raporti i papranueshëm

-Si e keni parë edhe veten të përfshirë në këtë proces ndërsa sa keni marrë vendimin në lidhje me ligjin e mbetjeve?
Së pari, në aspektin e vendimmarrjes apo të qëndrimit politik është në të drejtën e sovranit të çdo mazhorance politike që të ndërmarrë një iniciativë ligjore që beson në ndërmarrjen e saj, në fillesën e ndërmarrjes së saj që i shërben disa çështjeve pozitive qoftë në aspektin legjislativ, qoftë në aspektin e çështjeve zhvillimore. Por, në momentet kur një iniciativë politike e jetësuar me legjislacion gjen një kundërshtim masiv në opinionin publik, atëherë është detyrë e çdo mazhorance politike, e çdo vendimmarrësi, kryesisht e ligjvënësve që të reflektojnë dhe të shkojnë në përputhje me qëndrimin dhe reagimin e opinionit publik, kur ai është një mazhorancë dukshëm e cilësuar. Kështu që besoj se që nga viti 2011 që ju përmendët kanë ndryshuar një sërë rrethanash, është evidentuar një qëndrim dhe një lëvizje qytetare qartazi në mazhorancë cilësore, e cila e ka kundërshtuar në bazë të argumenteve të saj fokusuar kryesisht tek çështjet e mjedisit dhe zhvillimit të territorit. Ky ka qenë edhe qëndrimi për të cilën unë jam motivuar që pavarësisht që në momentin kur kërkesa për referendum adresuar Presidentit të Republikës kishte pikëpamje të ndryshme midis palëve politike, unë vendosa në mënyrë institucionale dhe duke besuar fort që ishte qëndrimi më i mirë institucional, të marrë anën e atyre që kërkonin referendumin dhe dekretova referendumin, i cili për arsye që tashmë dihen nuk u realizua, por gjithsesi vullneti i një shumice të madhe qytetarësh të angazhuar konkretisht, por edhe atyre që përcillni mbështetjen në frymë e qëndrim të atyre që ishin nënshkrues të refendumit, ishte qartazi e evidentuar një shumicë dërmuese e qytetarëve. Ndaj besoj që edhe në rastin konkret përveç arsyeve, të cilat unë i kam renditur që vijnë kryesisht tek përcaktimet kushtetuese qofshin, edhe tek respektimi i disa standardeve që Shqipëria duhet të respektojë në procesin e integrimit Evropian apo të konventave ku Shqipëria është palë, por mbi të gjitha tek unë dominon synimi dhe qëllimi që në një situatë kur ka një diferencë të madhe midis qëndrimit politik të mazhorancës politike në Parlament dhe mazhorancës dërmuese të qytetarëve atëherë çështja duhet të shkojë drejtpërdrejtë drejt zgjidhjes përmes shprehjes së sovranit që është referendumi. E kam cilësuar edhe në një nga çështjet kryesore të relacionit ku argumentoj kërkesën për rishqyrtim që në këtë situatë kur ka, pra për projektin në fjalë, nuk di nëse projekti do të pësojë ndryshime në të ardhshmen, por projekti në fjalë duhet që patjetër në këtë diferencë të madhe qëndrimesh që ka mes mazhorancës në Parlament dhe qytetarëve dhe opinionit publik duhet të shkojmë drejt zgjidhjes përmes shprehjes referendare dhe kjo është plotësisht e mundur. Nga ana tjetër, unë besoj që ligji ka nevojë për disa ndërhyrje shumë esenciale, të cilat duhet të garantojnë në fund të fundit opinionin publik që importi i mbetjeve nuk do të keqpërdoret, nuk do të ndikojë aq më tepër në realizimin e një situate ku të kemi vetëm përfitimet e industrisë, e cila padyshim që duhet edhe të kujdesimi për të, duhet edhe të marrim masa legjislative e rregullatore për të padyshim, por nga ana tjetër duhet të prevalojë interesi qytetar në mënyrë që të ecim në mënyrë paralele ku edhe mjedisi, edhe territori, edhe shëndeti edhe jeta dhe ambienti ynë të jenë të mirëmbajtur, por edhe të jenë në parametrat që meritojmë të kemi ne qytetarët që kemi vendosur të jetojmë në këtë vend. Pra, ligji nuk kishte as garancitë minimale që qytetarët shqiptarë të garantoheshin që industria ricikluese pas hyrjes në fuqi të këtij projektligji nuk do të bojkotonte tërësisht, marrjen e mbetjeve nga ato që prodhohen në Shqipëri dhe do të përshtaste tërësisht produktin e saj nga mbetjet e importuara nga jashtë. Pra qind për qind do të merrte mbetje nga jashtë, sepse ia lejonte këtë hapësirë ligjit. Dhe ligji duhet të parashikojë minimumin e garancive që pas periudhave të caktuara, pesëvjeçare, dhjetëvjeçare, pesëmbëdhjetëvjeçare dhe kështu me radhë industria ricikluese duhet të jetë e detyruar që të reduktojë në një përqindje të madhe importimin e mbetjeve nga jashtë dhe gjithmonë dhe më shumë ta adresojë përdorimin e mbetjeve që prodhohen në vend dhe të jetë e detyruar që të investojë në ndarjen e mbetjeve në burim, në edukimin dhe arsimimin e qytetarëve dhe një sërë çështjesh të tjera që japin garancitë që edhe industria në njërën anë funksionon, por mbi të gjitha ajo që mbetet prioritare është që mjedisi, ambienti, jeta, shëndeti i qytetarëve të këtij vendi, të njerëzve që kanë vendosur të jetojnë këtu, të lindin fëmijët e tyre, të rrisin fëmijët e këtyre këtu, të jetë e garantuar në pikëpamjen shëndetësore edhe e ambientit.

– Roli  i Presidentit në ligjin e Vettingut…
Unë me keqardhje kam konstatuar që hartuesit e këtij projektligji nuk kanë qenë të sinqertë në lidhje me të drejtat dhe përmbushjes së atyre të drejtave nga ana e institucionit të Presidentit të Republikës. Pra, ka pasur një mungesë sinqeriteti në raportet midis hartuesve të ligjit dhe institucionit të Presidentit të Republikës. Ndoshta, kjo ka qenë edhe arsyeja që u shmang plotësisht konsulta me përfaqësues të institucionit të Presidentit të Republikës në një ligj ku parashikohej përfshirja e institucionit të Presidentit të Republikës. Pse e them këtë? Ligji i referohet afatit 45 ditor jo të hyrjes në fuqi të ligjit, por i referohet afatit 45 ditor të hyrjes së Kushtetutës, ç’ka është një nonsens është një nonsens juridik, por edhe logjik mbi të gjitha, sepse një ligj nuk mund t’i referohet një akti themeltar padyshim, por një akti të miratuar shumë kohë përpara në një kohë, kur deputetët ishin mjaft të qartë që paketa e ligjeve nuk kaloi në të njëjtën ditë, nuk kaloi në të njëjtin proces votimi me paketën kushtetuese. Pra, ligji u shqyrtua dhe u miratua në një kohë shumë më të vonshme dhe afati 45 ditor brenda të cilit Presidenti duhet të përmbushte të gjithë angazhimet tij lidhej me hyrjen në fuqi të Kushtetutës, që do të thoshte se afati i fundit i Presidentit ishte data 25 shtator. Sikur të kemi parasysh që Presidenti të mos e lexonte fare ligjin, të mos e studionte fare ligjin, ishte një ligj shumë i rëndësishëm dhe voluminoz, i cili mbërriti në Zyrën e Presidentit në 1 shtator, sikur Presidenti ta dekretonte në datën 2 shtator, të hynte në fuqi në datën 3 shtator, të pritej 15 ditë nga hyrja e tij në fuqi që shkonte përafërsi përtej mesit të shtatorit. Pastaj duke llogaritur që ligji parashikonte që Presidenti duhet të linte 15 ditë afat njerëzve, të cilët duhet të aplikonin për vendet vakante, dhe pastaj edhe shtatë ditë të tjera për të shqyrtuar kërkesat dhe për t’ia përcjellë pastaj institucioneve të tjera. Pra, sikur Presidenti ta kishte firmosur pa e lexuar ligjin që me datën 2 shtator, i gjithë procesi që duhet të përfundonte Presidenti minimalisht shkonte në datat 2, 3 apo 4 tetor pra, data 25 shtator i parashikuar në ligj si afati i fundit që Presidenti duhet të përmbushte gjithë këto detyra, tejkalohej dhe nuk e bënte të mundur angazhimin e Presidentit. Megjithatë nuk është një proces që është në ngërç se vetë paketa kushtetuese dhe ligji ka paraparë që në rastet kur këto çështje nuk përmbushen nga ana Presidentit të Republikës është Avokati i Popullit ai që e kryen procesin e mëtejshëm. Ndaj tashti afatet e Presidentit kanë kaluar që në datën 25 shtator, madje që pa hyrë ligji në fuqi, por që tashmë i takon zyrës së Avokatit të Popullit që të vijojë me procedurën me çështjet që ligji parashikon

-Ka pasur jehonë këto ditë një raport i PAMECA-s, Misionit të Bashkimit Evropian që asiston Policinë e Shtetit. Ju keni qenë Ministër i Brendshëm, ishte një raport që media e publikoi në fakt, ishte një raport në fakt që kritikonte punën e Prokurorisë pikërisht në ato çështjet kryesore, që kanë bërë bujë dhe jehonë ndërkohë që vetë Bashkimi Europian apo institucione ndërkombëtare këmbëngulin që Shqipëria të ketë rekorde të arrestimit, ndalimit të atyre që i cilëson si peshq të mëdhenj. Ndërkohë që në këtë raport të PAMECA-s kritikohet fort puna e Prokurorisë Shqiptare pikërisht në këto raste të bujshme, të emrave që janë kritikuar fort edhe nga ambasadorët. Ju si e keni parë këtë raport të kritikuar nga media?
Së pari, më duhet të nënvizoj faktin se agjencitë ligjzbatuese në shtetin shqiptar për një periudhë shumë të gjatë në këto 25 vitet e fundit, kam pasur edhe një eksperiencë shumë të mirë bashkëpunimi me organizata dhe institucione partnere, qoftë me ato të Bashkimit Evropian, qoftë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo edhe në aspektin dy palësh me vende të Bashkimit Evropian me vende anëtare dhe vende partnere. Nuk dua të përmend të gjitha eksperiencat, por kemi eksperienca shumë të mira gjatë këtyre 25 viteve. Për sa i referohemi rastit të fundit të adresimit që vjen nga misioni PAMECA në drejtim të Prokurorisë shqiptare, janë adresime të papranueshme. PAMECA ka dalë jashtë statusit të parashikuar për këtë mision, për të cilën ajo ka ardhur në Shqipëri dhe duke dalë jashtë statusit, ajo ka shkelur marrëveshjen me shtetin shqiptar.

-Pse çfarë duhet të bëjë PAMECA këtu?
PAMECA e ka të përcaktuar misionin e saj. Është një mision asistence pranë Policisë së Shtetit shqiptar për çështje që lidhen me performancën dhe trajnimet, strukturat. Pra është mjaft e qartë statusi dhe marrëveshja e nënshkruar midis shtetit shqiptar dhe Bashkimit Evropian në lidhje me Misionin PAMECA. Misioni PAMECA në rastin konkret, duke iu adresuar çështjeve që shkojnë tek Prokuroria shqiptare ka dalë përtej statusit të saj, ka dalë përtej asaj çka vetë Bashkimi Evropian e ka ngarkuar këtë si mision apo stafin aktual të PAMECA-s ndaj unë mendoj që kjo është një çështje që i takon tashmë trajtimit të autoriteteve që kanë mbikëqyrjen dhe monitorimin e misionit të PAMECA-s në Bashkimin Evropian, por unë do të shfrytëzoj rastin për të nxitur dhe inkurajuar më tej institucionin e Prokurorisë së shtetit shqiptar veçanërisht në situatën ekstremisht shqetësuese të trafikimit dhe kultivimit të kanabisit që Prokuroria e shtetit të mos përkulet ndaj asnjë lloj shantazhi apo debati të pavlefshëm, por ka sfidë shumë të madhe, posaçërisht Prokuroria e shtetit shqiptar ka një sfidë që duhet të fokusohet tek hetimi, zbërthimi dhe tek zhbërja e gjithë kësaj platforme dhe e rrjetit të krimit të organizuar që e ka kthyer Shqipërinë në një situatë problematike kryesisht me çështjet e stabilitetit social-shoqëror, stabilitetit politik, por edhe ekonomik ku kultivimi dhe për fatin e keq trafikimi i kanabisit po kthehet në rreziqe serioze të gjitha këtyre aspekteve që unë përmenda pak më parë dhe janë rreziqe që i kanosen çdo qytetari, gjithë aktorëve dhe vetë aktorëve politikë. Prandaj është momenti për një qasje të fortë, për një qasje shumë dimensionale në mënyrë të tillë që situata jo vetëm të mos agravojë, por të marri përgjigjen e merituar në mënyrë që e nesërmja të jetë një e nesërme krejt tjetër në raport me çështjen e krimit të organizuar dhe trafiqeve.

– A është kaq serioze situata e kultivimit të drogës në vend sa ç‘perceptohet publikisht në fakt megjithëse argumentat e Kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm, mbështetur edhe në të dhënat që ka dhënë monitorimi i Guardia Di Financa thotë se situata nuk është më ndryshme se ç’ka qenë, është në përmirësim?
Unë nuk komentoj dhe nuk do të komentoj në asnjë rast deklarata që vijnë nga qeveria, qoftë që vijnë nga politika, ato le të mbeten pjesë e së drejtës së tyre. Të gjitha aktorët në vend kanë të drejtë të shprehin qëndrimet e tyre, të marrin pozicionimet e tyre, të debatojnë në lidhje me çështjet. Unë po flas sot dhe në këtë moment nga pozicioni i Kreut të Shtetit shqiptar dhe reflektimi i shqetësimit që vjen nga ana ime ka të bëjë jo mbi bazën e asaj ç’ka unë dëgjoj në debatin mes palëve dhe aktorëve, ka të bëjë me çfarë unë kam konstatuar nga institucione ligjzbatuese përfshi raportet që vijnë nga Shërbimi Inteligjent, përfshi raportet që vijnë nga partnerët tanë, përfshirë edhe raportet që dalin përditë qoftë nga Policia e Shtetit shqiptar, qoftë edhe nga Policia e Shtetit italian apo të vendeve të tjera, ku sekuestrohet pothuajse në mënyrë frekuente sasi shumë të mëdha të kanabisit të trafikuar nga territori shqiptar. Unë nuk i hyj dhe nuk do t’i hyj sot në këto momente në këtë pozicion që kam debatit sesa shumë është përkeqësuar apo a ka qenë dhe vazhdon të mbetet në ‘status quo’ të caktuar çështja e kultivimit dhe trafikimit. Ajo që unë përcjell si shqetësim është shqetësimi që vjen nga shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë, kryesisht nga pjesa më e përgjegjshme e opinionit publik, të cilët janë realisht të shqetësuar, sepse, përveç faktit të veprimtarisë së grupeve kriminale, janë konstatuar dhe dy elementë shumë problematikë në lidhje me çështjet e kultivimit të kanabisit. Së pari, sekuestrimi në mënyrë ilegale i pronave dhe i tokave të fermerëve nga grupet kriminale për të kultivuar kanabisin që është një veprimtari tjetër kriminale. Së dyti, gati-gati skllavërimi i grupeve të caktuara të qytetarëve, të cilët punësohen edhe përmes forcës, edhe përmes detyrimit në arat, sektorët, fushat ku kultivohet dhe përpunohet kanabisi për t’u trafikuar. Pra, jemi në një kompleks të situatave që lidhen drejtpërdrejtë me veprimtari kriminale dhe unë besoj që këtu nuk është koha për të marrë në analizë se cila është rëndësia e debatit politik apo cila është anësia e njërit institucion apo cila është anësia e institucioneve të tjera. Ky është një problem madhor. Në gjykimin tim me përmasat që ka marrë dhe ky është një alarm, të cilin unë po ja drejtoj aktorëve të shoqërisë shqiptare. Është një alarm, i cili nëse nuk do të merret seriozisht nesër në të ardhmen shumë të afërt do të na kthehet në një fatalitet që më pas do të na duhen forca, mundësi, mjete dhe sakrifica më të mëdha për ta rekuperuar.

Marrë me shkurtime nga Abc News

Exit mobile version