“Bota serbe po riaktivizohet” – Mesazhi kërcënues për rajonin!

Duket se sanksionet dhe përfshirja në ndikimin malinj i Rusisë në rajonin e Ballkanit nuk po i bën më përshtypje Aleksandër Vulin–it e as krerëve në Serbi. Megafoni i presidentit Aleksandër Vuçiç i angazhuar për promovimin e ‘Serbisë së Madhe’, ka kërcënuar sërish me bashkimin e të gjithë serbëve nën krijimin siç pretendon ai të ‘Botës serbe’.

Nga Banja Lluka kjo ëndërr e nisur nga presidenti serb dhe ai i RS do të jetësohet. Ai i çoi një mesazh kërcënues edhe ndërkombëtarëve.

Serbia ende vazhdon të mburret dhe të përkujtojë ngjarje tragjike. Kështu ka vepruar edhe Banjka Llukë ditë më parë, duke festuar kështu hyrjen e ushtrisë serbe para shumë vitesh në atë qytet.

Natyrisht pjesëmarrës në ngjarjen provokuese ishte edhe njeriu i dytë i Qeverisë së Serbisë, Aleksandër Vulin.

I deleguar nga Serbia për të mbajtur raportet e mira me Rusinë dhe serbët e Republikës Serbe, Vulin nga Banja Lluka mbushi serbët me premtimin e krijimit siç e quajnë ata të ‘Botës serbe’.

Nënkryetari i Qeverisë së Serbisë dhe senatori i Republikës Srpska, Vulin ‘premtoi’ në bashkimin e gjithë serbëve.

“Serbët janë një popull politik unik dhe kurrë nuk duhet të lejojnë të tjerët të vendosin për ta. Serbët nuk duhet të ndalojnë së ëndërruari ëndrrën e të parëve të tyre për krijimin e botës serbe. Ne do ta krijojmë atë me mjete politike dhe kurrë nuk do të heqim dorë nga ëndrra për të jetuar së bashku dhe për të qenë ajo që jemi – një popull”, tha zëvendëskryeministri i Qeverisë së Serbisë dhe senatori i Srpska Vulin.

Duke u viktimizuar se Serbia humbi shumë ushtarë bë vitin 1918, ngjarje edhe për të cilën ishte i pranishëm në Banja Llukë, Vulin e pranoi se Serbia me dhunë ka marrë gjithçka që ka tani.

“Sakrifikuam gjithçka, të ndarë, të copëtuar, pa kufi, duke mos ditur se çfarë është e jona, duke pritur që të tjerët të na caktojnë se ku dhe si do të jetojmë”, ishte deklarata e tij.

Vulin gjithashtu e pranoi hapur se pas krijimit siç pretendojnë ata ‘Botës Serbe’ qëndron drejtpërdrejt presidenti serb Aleksandër Vuçiçi dhe homologu i tij nga RS Milorad Dodik.

“Kur të dy presidentët vendosën që ne të festonim së bashku datat më të rëndësishme nga e kaluara jonë e përbashkët”, tha ai.

Në vitin 2023, administrata amerikane e ndëshkoi Vulin me sanksione, duke e cilësuar atë përgjegjës për aktivitetet korruptive dhe destabilizuese që mundësonin ndikimin malinj të Rusisë në rajonin e Ballkanit.

Pas kësaj, presidenti serb Aleksandër Vuçiç e shkarkoi atë nga pozita e drejtorit të agjencisë së inteligjencës BIA dhe e emëroi ministër pa portofol dhe zëvendëskryeministër në praktikë përgjegjës për marrëdhëniet me RS-në dhe Rusinë.

Kujtojmë se vizita e Vulin ndodhi veç një ditë pasi presidenti nacionalist i Republikës Srpska, Milorad Dodik ka treguar se është ndërtuar një tempull i ri në Banja Lluka të Bosnjë e Hercegovinës nga Rusia e Serbia dhe tha se ndërtimi i këtij tempulli “serbo-rus është një tjetër dëshmi e suksesit dhe angazhimit të përbashkët të Serbisë dhe Rusisë”.

Këtë objekt e ka vizituar edhe kleriku nga Kisha Ruse Mitropolitit Anthony të Volokolamsk.

Kleriku rus ka qëndruar edhe në Serbi, ku përcolli “mirënjohjen e përzemërt” për Kishën Ortodokse Serbe për mbështetjen e saj të palëkundur në lidhje me çështjen kishtare të Ukrainës.

Rusia përdor një sërë mjetesh për të ndikuar në rrjedhën e ngjarjeve në Serbi, Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë dhe Kisha Ortodokse është arma e saj më e fortë përmes së cilës përhap narrativat e saj në këto shtete.

Kisha Ortodokse Serbe ruan lidhje të ngushta me Kishën Ortodokse Ruse, e cila është e lidhur ngushtë me Kremlinin dhe e ka paraqitur veten si një mbështetëse solide e politikave të jashtme të Rusisë, përfshirë pushtimin e saj në Ukrainë.

Kisha i ka dhënë mbështetje të heshtur agjendës secesioniste të Milorad Dodik në Bosnje dhe Hercegovinë, ndërsa Patriarkun Porfirije merr pjesë haptas në paradën e ndaluar që e mban Republika Srpska.

Artikulli paraprakSalah: Jam i zhgënjyer, është pothuajse dhjetori nuk kam marrë ofertë rinovimi nga Liverpool-i
Artikulli tjetërShpërthimet në veri, presidentja Osmani takon ambasadorët e QUINT-it dhe komandantin e KFOR-it