Fitore të thjeshta për Brazilin dhe Kolumbinë në miqësore përpara fillimit të Copa America Centenario. Në Colorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Selecao mposhti me shifrat 2-0, Panamanë një përfaqësuese që ashtu si 5-herë kampionët e Botës do të marrë pjesë në Kupën e Amerikës. Vetëm 2 minuta iu deshën Brazilit për të kaluar në avantazh. Ishte sulmuesi i Benficës, Jonas ai që zhbllokoi shifrat me një goditje të saktë nga brenda zonës. Dunga aktivizoi një pjesë të mirë të futbollistëve që kishte në dispozicion për këtë sfidë dhe në minutën e 73-të, Selecao arriti të realizonte edhe golin e avantazhit të dyfishtë me sulmuesin 19-vjeçar të Santosit, Gabriel.
Në ndeshjen tjetër Kolumbia kaloi me rezultatin 3-1, Haitin. Dayro Moreno i dha epërsinë shumë shpejtë skuadrës së Pekerman, por miqtë ja dolën të barazonin shifrat 10 minuta përpara fundit të pjesës së parë, me Guerrier. Gjithsesi dalja me të kuq e Hilaire në të 39-ën ia bëri më të lehta gjërat Kolumbisë, me Los Cafeteros që realizuan dy herë të tjera në pjesën e dytë me Cuadradon dhe Martinez.