Brazili i fiksuar për medaljen e artë në futboll

Megjithëse ceremonia zyrtare e Lojërave Olimpike do të zhvillohet më 5 gusht, praktikisht olimpiada nis me ndeshjet e futbollit. Sytë janë drejtuar te përfaqësuesja olimpike e Brazilit, për meshkuj dhe femra. Djemtë e “Kanarinave” besojnë te një lojtar luksi, siç është Neymar, i cili refuzoi Coppa America Centenario, për një mision që gjithmonë ka rezultuar i vështirë për Brazilinin: të fitojë medaljen e artë në olimpiadë, titulli i vetëm i madh që i mungon një palmaresi të mbushur me 5 Kupa Bote, 4 Kupa të Konfederatave dhe 8 Kupa të Amerikës.
Këtë objektiv nuk kanë mundur ta përmbushin Romario në Seul ’88, Ronado, Rivaldo, Roberto Carlos dhe Bebeto në Atlanta ’96, Ronaldinho në Pekin 2008 si dhe vetë Neymar në Londër 2012. Olimpiada e Rios, në shtëpinë e njerëzve të dashuruar tmerrësisht me futbollin, është rasti më i mirë për ta thyer këtë mallkim. Edhe Neymar duket i obsesionuar për medaljen e artë që nuk mundi ta fitonte katër vite më parë.
“Jam rritur shumë si futbollist, tatikisht, teknikisht dhe psikologjikisht dhe ky zhvillim do të më ndihmojë shumë, shprehet kapiteni përfaqësueses olimpike të Brazilit, skuadër që ka mundur të fitojë 3 medalje argjendi në vitet 1984, 1988 dhe 2012.
Brazili niset si favorit absolut, sepse është e vetmja përfaqësuese që ka grumbulluar një futbollist të klasit botëror. Ëndrra për të parë në këto lojëra Mesin, Cristiano Ronaldon apo Ibran, u venit muaj më parë. Nuk do të jenë gjithashtu Dybala, Icardi, Vietto dhe Lanzini për Argjentinën, apo Renato Sanchez dhe Joao Mario me Portugalinë. Një rast kaq të volitshëm, Brazili ndoshta nuk do ta ketë kurrë në të ardhmen.
Më në fund, flaka olimpike ka mbërritur në Rio de Janeiro, vetëm dy ditë para fillimit të eventit gjigant sportiv. Pishtari u mirëprit nga kryetari i Bashkisë së qytetit më të madh jugor brazilian, Eduardo Paes, pasi lundroi në gjirin Guanabara nga marinsat brazilianë. “Rrofshin Lojërat Olimpike dhe unë e mirëpres pishtarin në këtë qytet, në dashurinë e jetës time, Rio de Janeiro! Ju falënderoj shumë!”, tha Paes. Ndërsa në portin e jahteve të Rios, pishtari olimpik u përcoll nga emra të njohur të sportit brazilian, si 5 herë medalisti olimpik Torben Grael dhe medalisti i Bronxit të vitit 1988, Clinio Freitas.
Pishtari ka kaluar 335 qytete braziliane dhe ka përshkruar 20 mijë kilometra para se të mbërrinte në Rio de Janeiro. Ndërkohë stadiumi me famë botërore i Maracanas në Rio de Janeiro thuajse është gati për të zhvilluar ceremoninë gjigante të hapjes se Lojërave Olimpike. Producenti ekzekutiv i spektaklit, Marco Balich, tha se ceremonia e hapjes do të thyejë traditën e shpenzimeve marramendëse për të tilla evente, duke thënë se është përshtatur me situatën aktuale ekonomike të Brazilit që po vuan recesionin më të thellë që nga viti 1930.

Exit mobile version