Brazili me goleadë

Pas 2 barazimeve pa gola në dy ndeshjet e para të olimpiadës, Brazili olimpik shpërthen në sfidën e fundit në grup. Skuadra e Rogerio Micales falë edhe një dygolëshi të Gabriel Barbosas, i njohur nga të gjithë si Gabigol, mposhti me shifrat e thella 4-0 Danimarkën, duke siguruar kualifikimin për në fazën çerekfinale, madje duke e mbyllur Grupin A në vendin e parë në kuotën e 5 pikëve. Për të avancuar më tej Selecao kishte nevojë për një sukses ndaj përfaqësueses nordike. Brazili nuk zhgënjeu, madje për të fituar sërish zemrat e tifozëve triumfoi me goleadë ndaj Danimarkës në “Arena Fonte Nova” të Salvadorit.
Gabriel Barbosa, sulmuesi i Santosit që kërkohet nga Interi dhe Juventusi në merkato, zhbllokoi shifrat pas 26 minutave lojë, ndërkohë që përpara fundit të pjesës së parë Gabriel Jesus, futbollisti i blerë nga Manchester City përfitoi nga një pasiguri në mbrojtjen daneze duke realizuar edhe golin e dytë. Në pjesën e dytë Luan dhe Gabigol hipotekuan fitoren e Brazilit duke shënuar edhe dy herë të tjera. Brazili tashmë do të masë forcat me Kolumbinë në çerekfinale, ndërkohë që pavarësisht humbjes ndaj Selecaos edhe Danimarka u kualifikua për më tej pasi e favorizuar edhe nga barazimi 1-1 mes Afrikës së Jugut dhe Irakut e mbylli Grupin A në vendin e 2-t në kuotën e 4 pikëve dhe në çerekfinale do të ketë përballë Nigerinë.
Përfaqësuesja afrikane, e cila e kishte siguruar që më herët kualifikimin u mposht në ndeshjen e fundit të Grupit B me rezultatin 2-0 nga Kolumbia që gjithashtu avancoi në fazën me eliminim direkt. Nuk vlejti për asgjë ndërkohë fitorja 1-0 që arriti Japonia ndaj Suedisë. Spektakël i Gjermanisë që mposhti 10-0 Fixhin dhe u kualifikua në çerekfinale si skuadra e pozicionuar në vendin e dytë, në Grupin C. E para në këtë grup u rendit Koreja e Jugut që mundi 1-0 Meksikën, me përfaqësuesen Tricolor që u eliminua nga Lojërat Olimpike Rio 2016.
Përveç Meksikës i dha lamtumirën përpara kohe olimpiadës edhe një tjetër kombëtare e madhe si Argjentina. La Selecion barazoi 1-1 ndaj Hondurasit në ndeshjen e fundit të Grupit D dhe në sajë të goleavarazhit më të keq u eliminua nga lojërat olimpike. Në sfidën tjetër të këtij grupi Portugalia e kualifikuar që më parë barazoi po 1-1 me Algjerinë. Tabloja e sfidave çerekfinale në Olimpiadën e Rios kompletohet me ndeshjet Kore e Jugut-Honduras dhe Portugali-Gjermani.
Argjentina pas tri ndeshjeve ka siguruar katër pikë, që nuk kanë qenë të mjaftueshme për të kaluar në çerekfinale të lojërave olimpike. Nga Grupi D u kualifikuan Portugalia me 7 pikë dhe Hondurasi me 4, aq sa kishte edhe Portugalia, por me golavarazh më të dobët.

Exit mobile version