Not, medalje të arta për Chalmers, Baladin e Belmonte

Pas 2 medaljeve të argjendta në Lojërat Olimpike Londër 2012, Mireia Belmonte Garcia u bë notarja e parë spanjolle që fiton një medalje të artë në një olimpiadë. 25-vjeçarja nga Barcelona shkëlqeu në disiplinën 200 metra stil flutur duke bërë të sajën medaljen e artë që ishte e para për të në një olimpiadë. Me kohën 2 minuta e 4 sekonda e 85 të qindat Belmonte la pas australianen Madeline Groves që u mjaftua me medaljen e argjendtë dhe japonezen Natsumi Hoshi që fitoi medaljen e bronztë, duke mundur në metrat e fundit të garës amerikanen Cammile Adams. Pas medaljes së bronzit në garën e 400 metrave stil i përzier, Miriea Belmonte fitoi arin e saj të parë në këto lojëra olimpike duke hyrë në histori.
Medalja e parë e artë në një olimpiadë për Kazakistanit vjen në sportin e notit. Dymitri Baladin me kohën 2 minuta e 7 sekonda e 46 të qindat triumfoi në disiplinën 200 metra stil bretkosë duke hyrë në histori si sportisti i parë kazak që fiton një medalje të artë në lojërat olimpike. Josh Prenot i Shteteve të Bashkuara të Amerikës u pozicionua i dyti në garën e 200 metrave stil bretkosë për meshkuj duke fituar medaljen e argjendtë, ndërsa medalja e bronztë shkoi për rusin Anton Chupkov.
Në 100 metra stil i lirë për meshkuj triumfoi 18-vjeçari australian Kyle Chalmers, i cili u tregua thjesht fantastik duke e mbyllur garën me kohën 47 sekonda e 90 të qindat, duke vendosur edhe një rekord personal. Pas australianit Kyle Chalmers u pozicionuan me radhë belgu Timmers që fitoi medaljen e argjendtë dhe amerikani Nathan Adrian që bëri të tijën medaljen e bronztë.
Për të mbetur te sportet ujore, britaniku Joseph Clarke fitoi medaljen e artë në garën e slalolomit me kanoe, duke u bërë britaniku i dytë në histori që realizon diçka të tillë. Me kohën 88 sekonda e 53 të qindat Clark la pas me 17 të qindat e sekondës sllovenin Peter Kuazer që fitoi medaljen e argjendtë. I treti në këtë disiplinë u rendit kampioni i botës në fuqi i slalomit me kanoe, sportisti çek Jiri Prskavec.

Exit mobile version