Brazili ngec sërish, kualifikohen Nigeria e Portugalia

Shumë klas, shumë emra të mëdhenj në përbërje, por sërish është një Brazil që nuk arrin të gjejë dot rrugën e rrjetës në olimpiadën e shtëpisë. Pas barazimit 0-0 ndaj Afrikës së Jugut në sfidën e parë të Grupit A, Brazili olimpik i Rogerio Micales regjistroi një tjetër barazim pa gola në Olimpiadën e Rios, këtë herë ndaj një përfaqësueseje akoma edhe më modeste siç është Iraku. Treshja e ëndrrave, Neymar Jr-Gabriel Jesus dhe Gabriel Barbosa nuk i mjaftoi “Selecaos” për të arritur fitoren e parë, sepse në “Estadio Nacional” në Brasilia, Brazili nuk mori më shumë se 1 pikë përballë kombëtares aziatike.
Madje “Selecao” mund ta kishte pësuar, por fati nuk ishte me miqtë në minutën e 12-të, teksa goditja me kokë e numrit 8-të të Irakut, Abdulraheem u ndal nga shtylla. Brazili edhe këtë herë krijoi shumë volum loje, por as Neymar, as Gabigol e as Gabriel Jesus nuk kishin saktësinë e duhur në finalizim. Me këtë barazim formacioni i Rogerio Micales, i cili në Rio de Janiero kërkon arin e parë olimpik në futbollin e meshkujve, u ngjit në kuotën e 2 pikëve në Grupin A dhe do ta luajë kualifikimin në sfidën e fundit ndaj Danimarkës që nga ana tjetër mposhti 1-0 Afrikën e Jugut dhe u ngjit në krye të grupit në kuotën e 4 pikëve.
U kualifikua në çerekfinalet e Rio 2016, Nigeria që fitoi edhe ndeshjen e saj të dytë në Grupin B, pasi mundi me rezultatin 1-0 Suedinë kampione të Europës për 21-vjeçarët. Goli që vendosi sfidën në favor të përfaqësueses afrikane u realizua nga sulmuesi i Romës, Umar Sadiq në minutën e 40-të. Takimi tjetër i Grupit B mes Kolumbisë dhe Japonisë përfundoi në barazim 2-2. Një ndeshje me të vërtetë spektakolare ishte ajo e Grupit C mes Gjermanisë dhe Koresë së Jugut që përfundoi me një barazim rokambolesk 3-3.
Dy golat e Gnabry-t dhe finalizimi i Selkes nuk u mjaftuan gjermanëve, të cilët aktualisht pozicionohen në vendin e 3-të të Grupit C me 2 pikë dhe do ta diskutojnë kualifikimin për më tej në ndeshjen e fundit ndaj Fijit që nga ana tjetër u mund 5-1 nga Meksika. Në Grupin D Portugalia falë fitores 2-1 ndaj Hondurasit preu biletën e çerekfinaleve, ndërsa Argjentina me golat e Angel Correas dhe Jonathan Callerit mposhti 2-1 Algjerinë, duke mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit.

Exit mobile version