Jahmir Hyka në formacionin më të mirë të javës në Zvicër. Mesfushori shqiptar, i cili po kalon një moment të shkëlqyer forme me skuadrën e Luzernës, është përfshirë nga gazeta prestigjioze “Blick” në 11-shen më të mirë të javës së 3-të të Superligës zvicerane. Gjithçka e merituar për 28-vjeçarin kryeqytetas, kjo për vetë faktin pasi Hyka ishte lojtari më i mirë në fushë për skuadrën e tij në humbjen që pësoi Luzerna me shifrat 3-2 ndaj kampionëve në fuqi të Baselit në “Swispor Arena”. Hyka ishte autori të dy golave që realizoi formacioni i trajnerit Markus Babbel duke përmbysur rezultatin nga 0-1 në 2-1, megjithatë dy finalizimet e Mark Jankos në fund bënë që sfida të fitohej me shifrat 2-3 nga Baseli.
Kështu me këtë fitore, Bazeli i Taulant Xhakës ngjitet i vetëm në krye me 9 pikë, ndërsa Luzerna e ndjek në vendin 2 me 6 pikë. Loja e mirë që po zhvillon me Luzernën, ra në sy edhe të mediave zvicerane, ku e përditshmja “Blick” i kushtoi një artikull të veçantë me titullin: “Besimtari mysliman dhe një shembull i mirë për të huajt në Zvicër. Përse Jahmiri është kaq në formë?”, ishte titulli i “Blick” në mëngjesin e së dielës, duke paraprirë në njëfarë mënyre show-t të tij të radhës ndaj Bazelit, ku mesfushori shqiptar ishte shpresa më e madhe për të besuarit e Markus Babel ndaj kampionëve të Zvicrës.
Në ndeshjen e të dielës ku përballë si kundërshtar kishte Taulant Xhakën, Jahmir Hyka ishte thjesht fantastik, pasi përveç se realizoi dy golat e skuadrës së tij çdo aksion sulmues i Luzernës kalonte nga këmbët e 28-vjeçarit shqiptar. Në formacionin më të mirë të javës nga gazeta “Blick” përkrah Jahmir Hykës janë rreshtuar edhe emra të tillë si francezi Horoau i Young Boys apo Marc Janko i Baselit. Për Jahmir Hykën, i cili pret një ftesë në kombëtare për ndeshjet ndaj Marokut dhe Maqedonisë nga trajneri i kombëtares kuqezi, Gianni de Biasi, ky sezon ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme. Edhe pse luan si mesfushor krahu në 3 javët e para të Superligës zvicerane ish-lojtari i Tiranës ka arritur të realizojë 3 gola.