Një plagosje me armë ka ndodhur të dielën në hotelin e deputetit të PS, Sadri Abazi tek “Shkëmbi i Kavajës”. Ngjarja është denoncuar nga një qytetar, i cili i ka dërguar një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. “Qytetari dixhital informon: Qëllohet me armë në hotelin e deputetit Sadri Abazi tek ‘Shkëmbi i Kavajës’! Sb”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar mesazhin e qytetarit. “Përshëndetje, sapo është qëlluar me armë në hotelin e Sadri Abazit në afërsi të ‘Shkëmbit të Kavajës’, aty ndodhet dhe kombëtarja e volejbollit të femrave dhe kanë shpëtuar për qime. Jua thashë për informacion sepse lajmet nuk e japin. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10”, shkruan qytetari.
Ndërkohë, lajmi u publikua edhe nga Policia e Durrësit, por pa publikuar vendin e ngjarjes të ndodhur në hotelin e deputetit të PS, Sadri Abazi. “Më datë, rreth orës 10:35, në afërsi të një kompleksi në Golem, është plagosur me armë zjarri shtetasi A.Ç., 24 vjeç, i cili është dërguar menjëherë në Spitalin Rajonal Durrës. Nga hetimet paraprake është bërë i mundur identifikimin i autorit të dyshuar shtetasi, Ledjn Kadilli, 23 vjeç dhe po punohet për kapjen e tij. Këta dy shtetas kanë qenë në shoqërinë e njëri-tjetrit në një bar kafe aty pranë dhe më pas kanë filluar të konfliktohen, ku Ledjan Kadilli ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar në drejtim të A.Ç. Vazhdon puna për sqarimin e plotë të rrethanave”, thuhet në njoftimin e Policisë së Durrësit.