Kërcënimet ndaj gjyqtarit, Prokuroria nis hetimet për Tahirin

Zyra pranë kryeprokurorit Adriatik Lalla ka regjistruar kallëzimin penal të Këshillit të Lartë të Drejtësisë ndaj ministrit Tahiri. Burimet thanë se, me regjistrimin e këtij kallëzimi është caktuar një prokurori për hetimin e çështjes, i cili ka nisur verifikimin e fakteve të pretenduar nga KLD-ja. Sipas Prokurorisë, fillimisht janë dërguar shkresa zyrtare pranë televizioneve kombëtare ku kërkohet sekuestrimi i regjistrimeve të konferencave për media të ministrit Tahiri që më datën 6 qershor dhe në vazhdim. Me marrjen dhe administrimin e këtyre pamjeve filmike, Prokuroria do të vlerësojë nëse në deklaratat e ministrit Tahiri ka elementë të veprës penale të “kanosjes” ndaj gjyqtarëve, pasi në kallëzim Këshilli i Lartë i Drejtësisë pretendon se ministri me daljet e tij publike ka kanosur gjyqtarët dhe në veçanti gjyqtarin Arjan Aliaj. Deklaratat e ministrit, sipas kallëzimit, kanë fyer, denigruar dhe kanosur gjyqësorin në tërësi dhe në veçanti gjyqtarin Arjan Aliaj. Pasi ky i fundit, me kërkesë të Prokurorisë më 6 qershor të këtij viti, vendosi pezullimin nga detyra të drejtorit të Policisë së Shtetit, Haki Çako. Ky pezullim erdhi pas dyshimeve të ngritura nga Prokuroria për përfshirjen e drejtorit Çako në skandalin e përgjimeve. Prokuroria pretendoi se drejtori Çako ka konsumuar elementë të veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”, pasi nuk administroi dhe procedoi sipas ligjit për aparaturën e përgjimit të hyrë në Shqipëri nga autoritetet e Interforcës italiane. Kallëzimi ndaj Tahirit erdhi pas reagimeve të shumta të gjithë njerëzve të drejtësisë, të cilët dënonin ashpër gjuhën fyese e denigruese të ministrit ndaj gjyqtarit. Veç shoqatave të gjyqtarëve dhe prokurorëve ka reaguar edhe KLD-ja, e cila e cilësonte të papranueshëm fjalorin e ministrit. Për këtë fakt, anëtarët e KLD-së në një mbledhje të zhvilluar gjatë fundjavës, jashtë radhës së parashikuar vendosën dhe kallëzuan penalisht ministrin.

Deklaratat skandaloze të Tahirit

I prekur drejtpërdrejt nga skandali i përgjimeve, në kohën kur shumëkush mendoi se ministri i Brendshëm do të dorëhiqej, ai zgjodhi sulmin e dytë ndaj gjyqtarit që ia pezulloi vartësin Çako. Rreth orës 21.00, kur kishte mbaruar lumi i akuzave dhe kundërakuzave qeveri-drejtësi, një ditë pas pezullimit të Çakos më 8 qershor, Tahiri nisi sulmin ndaj gjyqtarit Arjan Aliaj duke e fyer dhe kërcënuar atë.
“Ky Aliaj është fytyra e vërtetë e gjyqtarëve të korruptuar në sistemin e drejtësisë. Përfaqësuesi më evident i korporatës së të korruptuarve dhe shërbëtorëve politikë që janë të gatshëm të bëjnë gjithçka se detyrën e kanë dhuratë nga pushteti” është shprehur Tahiri për gjyqtarin Aliaj.
“As në kohën e komunizmit vendimet e gjykatave nuk ishin paçavure, as në kohën e komunizmit gjyqtarët nuk ishin kështu. Flasim për gjyqtar që ka liruar vrasës e përdhunues, sot ka marrë vendim për arrest shtëpie dy oficerë policie me këto argument. Argument banale, për të bërë qokën politike të radhës. Vendimet më banale që mund të dilnin nga një gjykatë shqiptare” tha ai.
Madje, Tahiri e ka cilësuar  sulmin e tij ndaj gjyqtarit si një betejë e cila sapo ka filluar. “Do i shkojmë deri në fund kësaj çështje. Do i publikojmë çdo argument skandaloz. Beteja sapo ka filluar” është shprehur Tahiri. Në kallëzimin e saj, KLD i cilësoi sulme të papranueshme, fyese dhe kërcënuese deklaratat e Tahiri, në adresë të gjyqtarit Arjan Aliaj, pasi për ta, ato bëhen për të intimiduar jo vetëm gjyqtarin Aliaj, por dhe trupën gjyqësore në tërësi.

Exit mobile version