Brezi i ri mori shishen e rakisë dhe e piu për të harruar çfarë kanë kaluar në 34 vitet e fundit

Nga Markoled Pashuku

Moisiu, në përpjekje për të shpëtuar popullin e tij nga skllavëria, i dëshpëruar dhe i zhgënjyer me faktin që populli ankohej, por nuk përparonte drejt tokës së premtuar, me sytë nga qielli, pyeti Zotin: “Kur do të bëhen njerëz këta?” Përgjigjja nga lart qe më shumë se therëse: “Derisa të vdesë dhe i fundit që ka lindur në skllavëri”.

Kjo është një copëz që rikujtoi këto ditë gazetari Lutfi Dervishi në rrjetet sociale, duke iu referuar zgjedhjeve të 11 majit. Pak orë më pas u publikuan shifrat zyrtare: 32,4%, pra 1 në 3 votues, rezultuan shqiptarë mbi 60 vjeç. Janë njerëz të rritur në epokën kur luftohej vetëm për bukën e gojës. Janë brezi më i vuajtur nga të gjallët e sotëm, njerëz të cilët brezi ynë i ri nuk i kupton dot, sepse ne shkojmë me pushime në Dubai duke marrë disa mijë euro borxh në Iute Credit dhe i paguajmë mbrapsht me dërgesat e vëllait në Angli, dajës në Greqi dhe hallës në Itali.

Prindërit tanë u rritën duke fshehur një derr në bodrum. Ngaqë 1 në 3 shqiptarë ishin spiunë, kur vinte kontrolli i partisë-shtet, prindërit tanë i jepnin derrit raki për të pirë, që derri të mos hungërinte dhe partia-shtet të mos ua merrte. Pra, atë të shkretën: bukën e gojës. Koha vendoste për prindërit. Nuk vendosnin prindërit për kohën.

Gjyshi im rriti 8 fëmijë. Një ditë, kur familja e madhe kishte 2-3 copa mish në sofër, babai im mori një dhe e kullufiti me shpejtësi rrufeje. E dinte se kishte shumë pak. Kushedi sa javë priste. “Të zëftë frymën!” – iu drejtua gjyshi. Nuk ishte mallkim për të birin. Nuk ka prind që mund ta bëjë këtë. Ishte mallkim për kohën, sepse në sofër ishin 2-3 copa mish për 8 fëmijë. Koha vendoste për gjyshin. Nuk vendoste gjyshi për kohën.

Kur isha i vogël, babai im më kërkonte të ruaja rubinetin gjatë kohës që kryenim filtrimin apo qarkullimin e verës në cisternat prej inoksi. “Ulu në karrige! Me një sy ruaj rubinetin, kurse me syrin tjetër lexo librin e shkollës për nesër!” Më dukej e çuditshme. Si mund të kryeja një punë duke mbajtur një libër në dorë?!

Shumë vite më vonë, pyeta nënën time: “Thuajse çdo fëmijë që njoh, punon. Madje, bën punë të vështira. Pse ju s’më kërkoni të bëj punë, kur ti ke 16 orë në ditë në vuajtje?” Përgjigjja e saj: “Jetën, siç e fillon, e mbaron. Ne e nisëm me vuajtje dhe po e mbyllim me vuajtje. Ndoshta ju keni fat tjetër”.

Ajo sot nuk jeton më, por unë, me vonesë, e kam kuptuar mesazhin e saj: “Libri nuk të bën më të mirë apo më të pasur, por të jep mundësinë që të vendosësh ti për kohën, jo koha për ty”.

Për 1 në 3 shqiptarë që votuan, vendosi koha. Kontributi i tyre më i madh është se i mohuan gjithçka vetes, që brezi i ri të bëjë të kundërtën: të vendosin ata për kohën.

Nuk e bëmë. Të rinjtë nuk votuan të rinjtë, edhe pse për herë të parë në histori kishin një buqetë alternativash të reja në fletën e votimit. Prindërve tanë nuk ua bën zemra ta thonë dhe kurrë nuk do ta thonë, por rezultati i 11 majit tregoi se brezi i ri nuk vendosi për kohën. Brezi i ri, pa vuajtur për bukën e gojës, pa u mbyllur në kafaz, kërkoi me vullnet të lirë skllavërinë dhe parazitizmin.

Më 11 maj, brezi i ri nuk u dha raki baballarëve +60 vjeç, që ata të flinin në ndonjë bodrum dhe të mos votonin. Ndodhi e kundërta. Ishte brezi i ri ai i cili mori shishen e rakisë dhe e piu për të harruar çfarë kanë kaluar në 34 vitet e fundit.

Prindërit tanë u rritën me sytë mbyllur. Ne u rritëm me sytë hapur, por kemi vendosur t’i mbyllim, sepse skllavëria nuk kërkon mund. Skllavëria kërkon thjesht një ngritje dore.

Exit mobile version