Një popull socialist apo një popull pa alternativë?

Nga Besnik Karaxha

Zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri nuk prodhuan thjesht një fitues të ri – ato konfirmuan një realitet politik të hidhur: mungesën e alternativës. Fitorja e radhës e Edi Ramës nuk duhet parë si triumf i politikave të tij, por si pasojë e dështimit të opozitës për të ofruar një alternativë të besueshme.

Shqiptarët, përballë një maxhorance të mbushur me skandale – ministra dhe kryetarë bashkie të arrestuar, akuza për korrupsion dhe keqqeverisje – vendosën sërish të votojnë për Edi Ramën. Kjo zgjedhje, në pamje të parë paradoksale, mbart një mesazh të fortë: “Më mirë një hajdut që di të qeverisë, sesa një opozitë e plakur dhe pa ide.”

Ky fenomen nuk është i ri në politikën shqiptare. Kujtojmë zgjedhjet e vitit 1996, kur Sali Berisha fitoi me shumicë absolute, në një klimë të ngjashme mosbesimi dhe polarizimi. Atëherë si sot, populli vendosi për më të keqen që e njihte, sesa për një alternativë që nuk e besonte.

Nëse historia na mëson diçka, është se liderët autoritarë ose të fuqishëm nuk rrëzohen nga kundërshtarët, por nga vetvetja. Rama nuk do të mundet me zgjedhje, për aq kohë sa opozita mbetet e përçarë, e lodhur dhe e konsumuar. Ai do të mundet vetëm atëherë kur gabimet e tij do të bëhen aq të rënda, saqë edhe më besnikët do ta braktisin.

Por kjo nuk mjafton. Opozita nuk duhet të presë që Rama të rrëzohet vetë. Ajo duhet të rifitojë besimin e qytetarëve, të reformohet, të pastrohet nga figurat e skaduara dhe të ofrojë energji të reja, ide të reja dhe një vizion të qartë për të ardhmen. Partitë që nuk vetëpastrohen, i pastron populli. Dhe kjo ndodh shpesh me mënyrën më të dhimbshme – me injorim total në kutinë e votimit.

Për ta përmbyllur: Shqipëria sot nuk është domosdoshmërisht një popull socialist, por një popull i lodhur, i zhgënjyer dhe pa alternativë të qartë. Dhe kjo është, mbi të gjitha, një krizë politike që kërkon më shumë se thjesht rotacion – kërkon transformim.

Exit mobile version