Kryeministrja britanike Theresa May është nën presion për të kthyer miliona dollarë të dhëna nga oligarkët rusë dhe lobistët e tyre për partinë e saj konservatore në pushtet. Një nga donatoret më të mëdha është bashkëshortja e një ish-ministri rus të Financave, dikur e njohur me nofkën “bankierja e Putinit”. Kur zonja May mori detyrën 18 muaj më parë, ajo premtoi se konservatorët e Britanisë do të distancoheshin nga donatorët rusë, por të dhënat e komisioneve zgjedhore të analizuara nga gazeta britanike “Sunday Times” tregojnë se donacionet e lidhura me Rusinë kanë vazhduar. Konservatorëve u janë dhënë gjithashtu kontribute nga lobistë britanikë dhe firma të marrëdhënieve me publikun që punojnë për oligarkët rusë dhe madje edhe për Kremlinin. New Century Media, një agjenci britanike e kontraktuar nga qeveria ruse për të paraqitur një “imazh pozitiv” të Rusisë, ka dhuruar më shumë se 200 mijë dollarë për partinë në fuqi të Britanisë. Ligjvënësit e opozitës bënë thirrje sot që konservatorët të kthejnë donacionet, duke argumentuar se ato ngrenë dyshime rreth vendosmërisë së qeverisë për t’iu kundërpërgjigjur përpjekjes së ndërmarrë më 4 mars nga Kremlini. Agjencitë britanike të inteligjencës, besojnë se rusët u përpoqën për të vrarë në territorin britanik ish-agjentin rus Sergei Skripal, që punonte për britanikët, si dhe vajzën e tij 33-vjeçare.