Euro arrin nivelin më të ulët nga gushti 2009

Euro ka vijuar të nënçmohet më tej në tregun vendas, duke shënuar rishtas rekord të ulët të këmbimit përkundrejt lekut vendas. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro këmbehej sot me 131.83 lekë, rreth 0.07 lekë më pak se fundi javës së kaluar. Euro po luhatet në nivelet më të ulëta të nëntë viteve të fundit. Aktorët kryesorë të tregut tregojnë se monedha e përbashkët ka tendencë që të humbasë pikë përkundrejt lekut me afrimin e datës së pagesave nga biznesi. Ata argumentojnë se me afrimin e datës 14, e cila është edhe afati i fundit i pagesës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, euro dobësohet, duke qenë se bizneset po thyejnë valutën për të mbyllur detyrimet. Sipas ekspertëve euro do të jetë e dobët deri me datë 20, afati i fundit për pagimin e sigurimeve. Ndërkohë që ekspertët shtojnë se, deklaratat e Bankës së Shqipërisë për deeuroizimin e ekonomisë është një tjetër faktor që ka çuar euron në nivelet më të ulëta që prej gushtit të 2009-ës. Për shkak të deklaratave të Bankës së Shqipërisë, bankat e nivelit të dytë kanë nisur të marrin masa për uljen e depozitave dhe kredive në valutë të huaj.

Historikisht, në 3 muajt e parë të vitit monedha e përbashkët kapte nivelet më të larta të këmbimit me lekun në tregun vendas, kryesisht për shkak të transferimit të fitimit të kompanive me kapital të huaj në vendet mëmë. Ndryshe nga herët e kaluara, fitimet kanë qenë më të ulëta, ndërsa oferta në valutë në treg ka qenë tepër e lartë, aq sa ndikimi ka qenë i papërfillshëm. Ekspertët presin që me afrimin e efekteve sezonale, ardhja e turistëve të huaj dhe fluksi i emigrantëve, euro do të nënçmohet edhe më tej, pavarësisht ecurisë në tregjet ndërkombëtarë. Megjithatë, monedha e përbashkët europiane ka ruajtur qëndrueshmërinë e saj në tregjet europiane. Sipas “Financial Times” euro këmbehej me 1.231 dollarë, 0.02 më pak se niveli më i lartë i tre viteve të fundit. Një dollar është këmbyer sot me 107.02 lekë, rreth 0.16 lekë më pak se të premten sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Dollari po luhatet në nivelet më të ulëta që nga 2008-ta duke reflektuar edhe nivelin e dobët të monedhës së gjelbërt në tregjet ndërkombëtare.

Exit mobile version