Britania nuk do të paguajë 100 miliardë euro për Brexit-in

Ministri britanik, që është i ngarkuar me mbikëqyrjen e daljes së vendit nga Bashkimi Evropian, ka thënë se Britania nuk do të paguajë fakturën për Brexit në vlerë prej 100 miliardë euro.
David Davis i ka thënë një televizioni britanik se BE-ja nuk ishte në gjendje të vendoste në mënyrë arbitrare një shifër se sa do të jetë shuma përfundimtare që duhet paguar nga Britania për të dalë nga blloku.
Raportet e mëparshme kishin vlerësuar se pagesa do të ishte rreth 60 miliardë euro, por “Financial Times”, ka thënë dje se kjo shumë është rritur pas kërkesave të shtuara të BE-së.
Davis ka thënë se Britania do t’i përmbushë obligimet ndërkombëtare, por “ne nuk do të paguajmë 100 miliardë euro”.
Ndërkaq, negociatori i BE-së për Brexit, Michel Barnier ka hedhur poshtë se kërkesat finaciare të bllokut për daljen e Britanisë ishin “dënim”, por ka paralajmëruar kundër “iluzionit” se Brexit do të ishte proces pa dhembje.
Barnier i ka bërë thirrje Britanisë që të nisë bisedimet sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Disa kanë krijuar iluzionin se Brexit nuk do të kishte ndikim financiar në jetën tonë apo se negociatat mund të përfundojnë shumë shpejt”, ka thënë ai.

Exit mobile version