Broki: Dua të qëndroj

Portieri i Milanit, Kristian Abiati i jep fund futbollit me Milanin. 38-vjeçari ka vendosur që t’i japë fund karrierës si profesionist pas 15 sezonesh te Milani, teksa pritet që Broki t’i besojë një fanellë titullari në dy sfidat e fundit, atë përballë verdhekuqve dhe në finalen e Kupës së Italisë kundër Juventusit.
“Ndeshja ndaj Romës do të jetë shumë e rëndësishme, pasi do vlerësoj futbollistët me kujdes për të kuptuar se kush më ofron më shumë garanci për të luajtur finalen kundër Juventusit”, tha Broki gjatë konferencës së djeshme për shtyp. Tekniku i Milanit ishte i drejtpërdrejtë, teksa foli hapur duke thënë se jo të gjithë kanë dhënë maksimumin e tyre në periudhën e fundit:
“Dua një sinjal të qartë nga ata lojtarë që nuk më kanë treguar akoma 100%-shin e tyre. Pres më shumë nga 4-5 lojtarë. Ata e dinë mirë se kush janë. Dy ndeshjet e fundit të sezonit janë një test shumë i rëndësishëm për të gjithë grupin. Dua që të jem në vështirësi kur të bëj formacionin e finales”.
Broki në fjalën e tij ka dashur të veçojë disa koncepte që lidhen me punën e kryer deri më tani në drejtim të Milanit “Nuk jam servili i Berluskonit, nuk më ka zgjedhur sepse jam simpatik, por mbi bazën e rezultateve që kam arritur gjatë sezoneve të fundit në drejtimin e të rinjve të Milanit. Fakti që renditemi në vendin e gjashtë më trishton, mirëpo unë kam ardhur me ide të qarta. Mund të kisha luajtur që në fillim me modulin 3-5-1-1, por kjo nuk është filozofia e Milanit.
Vlerat dhe historia që mbart ky klub nuk më lejojnë që të prodhoj një futboll defensiv. Jam i bindur se, nëse do të më krijohet mundësia që të drejtoj skuadrën edhe në sezonin e ardhshëm, mund të bëj një ecuri të mirë me Milanin. Saki sponsorizon Xhampaolon?
Në rini e kam ndjekur gjithë epokën e Sakit, të cilin e kam admiruar shumë. Tani shpresoj që të më admirojë ai mua. Saki nuk më ka njohur akoma dhe është normale të sponsorizojë dikë tjetër”. Italiani u ndal edhe te Baloteli: “Nuk ka shënuar akoma, por rendimenti i tij në fushë është shumë pozitiv. Ka dëshirë për të bërë mirë dhe flasim shumë shpesh. Në këto çaste i mungon vetëm goli”. Në fund, Broki u ndal edhe te rokada që pritet të bëjë Interi sot kundër Sasuolos:
“Nuk pres asgjë nga Interi. Nëse do të luajë me të rinjtë ka arsyet e veta. Jam i përqendruar vetëm te dy ndeshjet e fundit të ekipit tim në këtë sezon, të cilat mund të ndryshojnë fatin e Milanit dhe timin në krye të ekipit”.

Exit mobile version