Hamilton rikthehet frikshëm, duke fituar pole position në Çmimin e Madh të Spanjës. Një rikthim prej kampioni i britanikut, që theu të gjitha rekordet e kësaj fundjave dhe i dha një sinjal shokut të tij të skuadrës Nico Rosberg, se ai është kampioni në fuqi.
Ka qenë një pasdite shumë e luftuar ajo në pistën e Barcelonës, ku Rosberg zbriti si triumfator me 4 gara radhazi të fituara, si edhe 2 pole position në garat e fundit. Dhe ishte pikërisht Rosberg, ai që vendosi kohën më të mirë në sesionin e parë kualifikues, ndërsa që në këtë sesion u kuptua se ndjkësit e Mercedes do të ishin makinat Red Bull. Me Verstappen skuadra austriake arriti të vendoste kohën e tretë më të mirë në sesionin e parë.
Në sesionin e dytë në skenë u ngjit Hamilton. Britaniku e zbriti i pari kohën për këtë fundjavë nën rendin 1.22 dhe i dha një sinjal të fortë shokut të tij të skuadrës se pole position do të jetë shumë i luftuar. Gabimi që bëri në fillimin e sesionit të tretë krijoi iluzionin se Hamilton nuk ishte gati për një kundërpërgjigje, por xhiro e fundit e britanikut e pa kronometrin të ndalen në kohën 1.22.00. duke vendosur rekordin e fundjavës, e njëkohësisht duke marrë edhe pole position, që i mungonte që nga Çmimi i Madh i Bahreinit. Ky ishte pole position i 52 në karrierë për britanikun.
Kohën e dytë më të mirë e vendosi Rosberg, pothuaj 3 të dhjetat më ngadalë se Hamilton. Linja e dytë e nisjes për garën e së dielës është e zënë nga të dyja makinat Red Bull, me Ricciardo që në çastet e fundit vendosi një kohë spektakolare 1.22.680. Verstappen do të niset i katërti. Te Ferrari kohën më të mirë e vendosi Raikkonen që do niset i pesti, ndërsa Vettel duhet të kënaqet me vendin e gjashtë. Çmimi i Madh i Spanjës do të zhvillohet të dielën, duke filluar nga ora 14.00 dhe do të transmtohet direkt në Top Channel.
Piloti britanik ende nuk ka fituar asnjë garë në Botërorin e këtij viti, ndërkohë që nuk i kanë munguar as problemet me besueshmërinë e makinës. Pikërisht kjo e fundit ka bërë që të ngrihen teori konspirative, sipas të cilave, Mercedes këtë vit preferojnë që të shohin Rosberg kampion bote të Formula 1.
Një tjetër teori që flet për një tërheqje të përkohshme të Hamilton ka të bëjë me stilin e jetës së pilotit jashtë pistave. Sipas kësaj teorie, 30-vjeçari duket se është dorëzuar përballë argëtimit dhe nuk duket aq i motivuar për garat e Formula 1. Sikur të mos mjaftonin zërat mediatike, po në lidhje humbjen e përqendrimit të Hamilton në Botërorin e Formula 1, ka folur edhe një prej drejtuesve të skuadrave të këtij kampionati, i cili ka preferuar të mos e tregojë identitetin e tij. Sipas tij, Hamilton duket se nuk e dëshiron më aq shumë suksesin në Formula 1 pas 3 titujve të fituar.