Në fund të nëntorit të kaluar, Shefi i EURALIUS në Tiranë, Rainer Deville u largua me urgjencë nga Shqipëria. Ai është thirrur nga shefat e tij gjermanë në Bruksel.
Një burim i rezervuar diplomatik tha për Hashtag.al se të dhënat paraprake flasin për një shkarkim të zotit Deville nga detyra që mban. Në këtë moment ne jemi informuar në rrugë informale për pezullimin e tij, por gjasat janë që zoti Deville të jetë shkarkuar nga detyra”, tha burimi.
Deville i mbaronte zyrtarisht mandatin e tij si Shef i misionit EURALIUS në gusht të vitit 2017. Misioni EURALIUS është një entitet i Bashkimit Evropian, i cili ndihmon Shqipërinë në jurisprudencë, për reformat ligjore dhe kushtetuese.
Rainer Deville dhe misioni që ai drejtonte ka pasur rol të dorës së parë në procesin e Reformës në Drejtësi.
Deville u bë objekt debatesh, kur u citua në media, duke thënë se Reforma në Drejtësi do të sillte si rezultat largimin e 400 prokurorëve dhe 400 gjyqtarëve. I gjendur ngushtë nga buja e deklaratës së tij, më vonë ai tha se fjalët e tij ishin keqkuptuar.
Deville cilësohej si një burokrat i BE-së që ka mbështetur synimet e kryeministrit Rama për Reformën në Drejtësi.
Në fillim të dhjetorit të kaluar, Gjykata Kushtetuese dërgoi për të dytën herë në Venecia një version të përkthyer me korrektime të ligjit për Vetingun.
Versioni i parë i ligjit për Vetingun, u gjet me gabime në përkthim, versioni i parë ishte marrë nga publikimet zyrtare të misionit EURALIUS.
Pezullimi i gjermanit Deville erdhi në të njëjtën kohë, kur kreu i grupit parlamentar gjerman të CDU-së shigjetoi ashpër qeverinë Rama.