Edison YPI
Bukuria e tmerrshme e kirurgjisë pa narkozë të trurit dhe të trupit, nuk është e re, ka histori.
Të bukur për asnjë dhe të tmerrshme për të gjithë, e nisën në fillim të shekullit të kaluar fuqitë e mëdha kur pas rënies së perandorisë osmane, duke pikturuar shtete përmbi harta, coptuan Shqipërinë dhe ndanë shqiptarët.
Dhimbjet e llahtarshme të asaj bukurie të tmerrshme që vazhdojnë ende sot, u ndjenë që në fillim, por më së shumti pasi Shqipëria nisi të formohej, të mpiksej, pra pasi Tirana u bë kryeqytet.
Tirana dhe tiransit nuk ishin të vetmit që përcaktuan zhvillimet e mëpasme. Por meqenëse u përket merita e të qenit kontenitori brenda të cilit u bënë të mundshme fermentimet, dy fjalë për ta nuk janë të tepërta.
Rrëzë një mali, pranë një lumi, nën një diell të ngrohtë, mbi një truall të butë e të begatë, gdhihu e ngrysu, puno, lodhu e shplodhu, ha e pi frutat e Zotit, Tirana jo fort e urtë ka qenë me shekuj një komunitet i vogël i vetmjaftueshëm, i kavërdis me ynyrën e vet.
Pak vite pas shpalljes së Pavarësisë, bërthamë e butë e mesit të tmerrshëm, Tirana kryeqytet qe një zgjedhje sa e mrekullueshme për Shqipërinë, aq dramatike për Tiranën dhe tiransit, të cilëve iu prish ekuilibri shekullor. Që peshën e kësaj bukurie të tmerrshme do ta mbanin kryesisht tiransit, u duk që në fillim kur edhe lindori Haxhi Qamili edhe perëndimori që lindorin e vari në litar, Esat Pashë Toptani, ishin të ty tiransa. Lindorë e perëndimorë u vranë e u prenë, por kthesa ishte bërë.
Prishja e ekuilibrit tiranas ishte një kaos nga ata që lindin yje.
Ai kaos e ai shpërthim vazhdojnë. Fytyrat e tiransve ende sot sikur thonë; Pse na e prishët qetsinë ? Pse s’na latë të jetonim si ishim mësuar me shekuj, duke ngrënë hurma, fiq, bistaqe me rrush?!
Historia e Shqipërisë dhe shqiptarëve, brenda saj dhe historia e Tiranës dhe tiransve, nuk është histori luftrash, pushtimesh, nënshtrimesh. Shumë më e egër dhe lavdishme se e tillë, është histori mbijetese e Shqipërisë së vogël dhe e shqiptarëve të pakët në numër rrethuar nga të pangjajshëm të egër ardhur nga larg. Dembel, hileqar, i ngathët për punë, por njerëzor, i ngrohtë, i gjinshëm në halle e fatkeqësi, tiransi është një qenie shumë më komplekse se kjo klishe’.
Nervozë nga brenda, të javashëm nga jashtë, njëri i urtë, tjetri i sertë, njëri i ëmbël tjetri i hidhët, secili ndryshe nga të tjerët, të gjithë tironcit janë të prekur nga bukuria e tmerrshme e operacionit në tru pa narkozë. Krutanët, ishmakët, shijaksit, janë edhe ata bukur të tmerrshëm, por jo aq bukur dhe aq tmerrshëm sa tiransit që janë më të bukurit e më të tmerrshmëve. Mes dy luftërave kirurgjia në fjalë u bë për disa e bukur dhe për disa e tmerrshme.
Të ardhurit në Tiranë u rehatuan vetë, shqetësuan vendalinjtë. Të ardhurit e shndrruan Tiranën në arenë lufte mes tyre, por kurrë nuk arritën të implikojnë në këtë luftë tiransit.
Diktatura i shihte tiransit me dyshim, me mosbesim. Diktatura ishte dhe mbeti një kostum i ngushtë për tiransit. Edhe kur rrallë herë kanë qenë pjesë të mekanizmit të dhunës, tiransit kanë përfunduar rregullisht në viktima. Për këto e të tjera, aq kryelartë janë tiransit sa sot e kësaj dite në çdo qoshe të Tiranës mund të dëgjosh syresh që thonë; Trualli i Tiranës është i imi. Ti korçari, ti gjirokastriti që keni parkuar makinën këtu, më keni zënë vendin.
Nga bukuria e tmerrshme e kirurgjisë së coptimit dhe largimit, ka rrjedhur shumë, jo ujë, por gjak.
Pas një shekulli, Shqipëria zë rregullisht vetëm vendet e fundit të klasifikimeve botërore.
Fisnik, aristokrat, disident, i persekutuar, shkencëtar, mjek, kujdestar i kurrizeve, qetsues i nervave, ndreqës i rruazave, ruajtës i drejtpeshimit, paksues i dhimbjeve, vrasësi i bacileve burokratike, pesticidi i insekteve të zyrave, varrosësi i mediokriteteve, zjarrvënësi i parazitizmit, armiku numër 1 i analfabetizmit funksionues dhe i akademizmit shterp, njeriu i duhur në kohën e duhur për të bërë punën e duhur në mënyrën e duhur, superstari i sotëm shqiptar që zë një nga 100 vendet e para në shkallë planetare, është një tirans.
Që bukuria e tmerrshme e kirurgjisë së ndarjes pa narkozë më së fundi të jetë e bukur për të gjithë dhe e tmerrshme për askend, duke sjellë në Shqipëri perëndimorë përfaqësues simbolikë jo për të pikturuar shtete përmbi harta, por për të bërë këtë herë operacion në tru pa narkozë, dhe jo në trupin dhe trurin e një kombi, por në trurin e një njeriu, më mahnitëse se llaftaria tmerrisht e bukur e Poetit Lasgush, operacionin e bukur aspak të tmerrshëm e menazhoi tiransi Mentor.