Liberalizimi i vizave për Kosovën, përveç realizimit të mundësisë për lëvizje të lirë të qytetarëve, do të ketë rëndësi të madhe edhe për komunitetin e biznesit, thonë përfaqësues të këtij komuniteti. Ata theksojnë se procesi i liberalizmit të vizave do të rrisë më tepër edhe rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asocim (MSA) me Bashkimin Evropian, marrëveshje kjo që ka hyrë në fuqi më 1 prill të këtij viti. Komisioni Evropian, pritet që të mërkurën të jap rekomandimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë se ky proces do të ndikojë që prodhuesit nga Kosova të zgjerojnë veprimtarinë e tyre afariste në tregun evropian dhe njëherësh mundësia është më e madhe për promovimin e produkteve “Made in Kosova“ në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. “Pas vendimit përfundimtar për liberalizim, bizneseve do t’u mundësohet të lëvizin lirshëm, të takohen me kompani jashtë Kosovës, të takohen me kompani tregtare të Bashkimit Evropian. Nëse flasim për një prodhues vendor një lëvizje e tillë, do t’i mundësonte atij që lehtë të zgjeronte rrjetin e bashkëpunimit të tij afarist dhe të plasonte më lehtë produktet e tij në vendet e BE-së”. “Pjesëmarrja në simpoziume dhe panaire të tjera brenda shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, do t’i mundësonte bizneseve kosovare që të zgjerojnë veprimtarinë edhe në aspektin e inovacionit dhe zhvillimeve teknologjike në mënyrë që të reflektonte në punën e bizneseve tona”, ka thënë Zeka. Ndikimi i liberalizimit të vizave do të lehtësonte qarkullimin njëherësh edhe rritjen e tregut evropian, thonë edhe përfaqësues të kompanive private. Fabrika për Prodhimin e Këpucëve, “Solid” nga Suhareka, me gjithë barrierat, produktet e saj i eksporton në disa vende të Bashkimit Evropian. Shpëtim Kuqi, administrator në këtë kompani, tregon për Radion Evropa e Lirë se ka pasur raste kur i është refuzuar viza, pavarësisht faktit se arsyeja e udhëtimit ka qenë për punë biznesi. Ndërkaq, në rastet kur është pajisur me vizë, pritja ka qenë deri në 60 ditë. Me viza thotë ai, janë pajisur vetëm udhëheqësit e kompanisë, por jo edhe punëtorët tjerë, për të cilët shkuarja për trajnime në vendet e BE-së, në raste ka qenë e nevojshme. “Përveç procedurave të gjata kohore për aplikacionet për viza, ka pasur edhe kosto financiare. Kurse zakonisht për punëtorë kemi pasur probleme për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian. Kurse kjo është lehtësi, sepse ne mund t’i dërgojmë lirshëm në trajnime edhe punëtorët”, thekson Kuqi për Radion Evropa e Lirë. Në anën tjetër, Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka thënë se produktet e prodhuara në Kosovë janë cilësore për eksport, por që u mbetet autoriteteve kompetente që të përkrahin më tepër sektorin privat në mënyrë që të rrisin kapacitet e tyre prodhuese. “Kapaciteti është çështje problematike që duhet të punohet më tepër. Institucionet e vendit duhet të vazhdojnë të mbështesin prodhuesit në Kosovë, në mënyrë që ata të mund të zgjerojnë kapacitetet e tyre, meqenëse kjo është një çështje tjetër që unë do të ndaja nga çështja e cilësisë”, ka thënë Zeka. Liberalizimi i vizave për Kosovën dhe zbatimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asocim, bizneseve të vendit i hap dyer për pjesëmarrje në tregun prej 500 milionë banorësh, njëherësh do t’i rrisë marrëdhëniet tregtare në mes të Kosovës dhe vendeve të BE-së.