Cana dhe Cikalleshi dy ditëlindje kuqezi

Dy gëzime në një ditë për Kombëtaren. 27 korriku është një ditë e veçantë, pasi janë dy prej futbollistëve kuqezi që festojnë sot ditëlindjen. Lorik Cana dhe Sokol Cikalleshi. Kapiteni që ka bërë historinë dhe sulmuesi që është gati të shkruajë të tjera faqe me golat e tij në të ardhmen sot festojnë. Plot 33 vjet më parë lindte në Prishtinë Lorik Cana, ai që do të bëhej më pas një prej kapitenëve më përfaqësues të gjithë historisë së kombëtares kuqezi. Debutonte me Kombëtaren në 2003 në një ndeshje ndaj Zvicrës, duke zëvendësuar Geri Cipin, kishte mundur të luante edhe me Francën apo Zvicrën, por bëri zgjedhjen e zemrës dhe shumë shpejt do të kuptohej se përse. Zemra e tij rreh kuqezi, grintë karakter dhe cilësitë prej lideri bënë që tifozët të dashuroheshin menjëherë me Canën.
Mbetet padyshim një ndër futbollistët më përfaqësues shqiptarë edhe në rang ndërkombëtar, pasi ka luajtur në kampionatet më kryesorë të Europës. Në Francë me PSG e Marsejën, në Angli te Sunderland, Turqi te Galatasaray apo Lazio në Serie A. Plot 93 ndeshje me kombëtaren kuqezi, së cilës është gati t’i japë lamtumirën pas një karriere të pasur që kulmoi me Europianin, Cana meriton gjithë urimet, siç kanë nxituar të bëjnë ndjekës të shumtë në profilin e tij në instagram, apo dhe kreu i FSHF, Armand Duka, që e ka uruar publikisht nëpërmjet profilit të tij në Facebook. Nuk mund të mungonte edhe një urim i Presidentit dhe për Sokol Cikalleshin.
Sulmuesi nga Kavaja është padyshim një ndër yjet në ngjitje të Kombëtares Kuq e Zi. Si pak të tjerë është produkt i kampionatit shqiptar, vjen nga fushat me baltë, pasi spikati fillimisht me Besën që në moshë të re për të bërë një xhiro në skuadrat e mëdha Skënderbeu, Tirana e Kukësi para se të niste aventurën jashtë në Kore, Kroaci e më pas Turqi. De Biasi i dhuronte debutimin me fanellën kuq e zi në 31 maj të 2014 me Rumaninë, që atëherë ka luajtur 20 ndeshje me kombëtaren, ku pavarësisht se nuk ka shënuar shumë, kjo edhe për shkak të mungesës së fatit ka qenë gjithmonë një sulmues i dashur për tifozët falë volumit të madh, forcës dhe sakrifikimit për skuadrën. Sot, Cikalleshi mbush 26 vjeç, ku padyshim tifozët i urojnë edhe shumë gola të tjerë me Kombëtaren.

Exit mobile version