Rashica pëlqehet nga Ajaxi

Ajaxi i Amsterdamit vazhdon të shfaqë interes për Milot Rashicën. Me shitjen e Arkadiuz Milik për rreth 30 milionë euro te Napoli, harkëtarët kanë mjaftueshëm të ardhura për të bërë dy goditje në merkato. Fillimisht, Ajaxi do të kërkojë të gjejë zëvendësuesin e bomberit polak, por nëse për majën e sulmit dy alternativa janë ato të Pione Sistos dhe Marlos Morenos për të përforcuar krahët e repartit të avancuar, klubi kryeqytetas dëshiron të afrojë në skuadër Milot Rashicën. Me largimin e Frank De Boer drejtimin e Ajaxit e ka marrë trajneri Peter Bosz, i cili e njeh shumë mirë Rashicën, pasi kanë punuar sëbashku te Vittesse në fazën e parë të sezonit të kaluar.
Ishte pikërisht trajneri 52-vjeçar ai që e afirmoi dhe i dha mundësi për të luajtur talentit shqiptar në Eredivisie. Peter Bosz e pëlqen shumë Milot Rashicën si lojtar dhe me të në drejtimin e Ajaxit mundësitë që 20-vjeçari nga Vushtria të transferohet në Amsterdam janë të mëdha. Mediat holandeze shkruajnë se, Rashica do të ishte një blerje shumë e mirë për harkëtarët, duke patur parasysh faktin se është një talent në rritje dhe sezonin e kaluar spikati jo pak me fanellën e Vitteses. Me shitjen e Milik, Ajaxi ka financa për të bërë të mundur këtë transferim. Kartoni i Rashicës, i cili kërkohet edhe nga Napoli, Lazio apo edhe Gallatasaray mund t’i kushtojë arkave të Ajaxit nga 6 deri në 7 milionë euro.

Exit mobile version