Cana sfidon të shkuarën, do të luajë ndaj PSG-së

Në festën e titullit të Paris Saint Germain, do të jenë edhe Lorik Cana e Ermir Lenjani. Dy futbollistët e kombëtares shqiptare janë grumbulluar nga trajneri Michel Der Zakarian për duelin që Nantes do të zhvillojë ndaj kampionëve të Francës në Parc Des Princes këtë të Shtunë. Për Canën kjo mund të jetë ndeshja e fundit me fanellën e kanarinave, pasi gjatë muajve të kaluar është folur shumë, për një largim të mundshëm të kapitenit të përfaqësues kuqezi nga Nantes në përfundim të këtij sezoni, edhe pse 32-vjeçari ka një kontratë deri në 30 qershor të 2017-ës me klubin nga La Beaujoire.
Në 4 takimet e fundit të Nantes në kampionatin francez Cana nuk është aktivizuar për asnjë sekondë, por sipas asaj që raportojnë mediat, në sfidën ndaj Paris Saint Germain do të ketë minuta edhe për lojtarin shqiptar. Për Canën, sfida ndaj Parisit konsiderohet edhe si përballje me të shkuarën, pasi kapiteni i Shqipërisë e ka nisur karrierën pikërisht në radhët e klubit nga Parc Des Princes. Shanse për të luajtur në sfidën ndaj kampionëve në fuqi edhe Emrir Lenjani që nuk aktivizohet prej 3 takimesh nga trajneri Michel Der Zakarian.

Exit mobile version