Carrasco nuk largohet nga Atletico

U transferua nga Monaco te Atletico Madridit për rreth 20 milionë euro verën e vitit 2015, por në vetëm pak kohë Yannick Ferreira Carrasco është shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të Los Colchoneros. Belgu 23-vjeçar pas golave me shumë peshë ndaj Realit në finalen e Champions-it të sezonit dhe Bayernit në fazën e grupeve të këtij edicioni shpërtheu me një 3 golësh dhe 1 asist në sfidën e fundit të La Ligas ndaj Granadas. Ishte pikërisht Ferreira Carrasco heroi i Atleticos në fitoren e fundit me Los Colchoneros që shpartalluan me një breshëri golash skuadrën andaluziane pas avantazhit provizor të këtyre të fundit falë një rrjete spektakolare të Isac Cuencas.
Emri i Ferreria Carrascos është përmendur shumë në merkato gjatë muajve të fundit me disa prej klubeve të mëdha të Europës që kanë shfaqur interes për të, por vetë lojtari mohoi zërat se dëshiron të largohet nga Atletico duke deklaruar: “Gjithçka është e gënjeshtërt, unë ndihem mirë te Atletico dhe dua të vazhdoj të luaj me këtë skuadër”. Pas këtyre fjalëve të futbollistit belg tifozët e Atleticos duhet të qëndrojnë të qetë dhe të shijojnë momentin sepse Ferreira Carrasco nuk do të largohet nga “Vicente Calderon”.

Exit mobile version