Cesare Prandelli debuton me fitore te Valencia, duke i dhënë një impuls të ri skuadrës që vazhdonte të vuante edhe në këtë start të sezonit. Pasi pa nga tribuna disfatën ndaj Atletico-s, ish-trajneri i përfaqësueses italiane i ktheu buzëqeshjen tifozëve dhe klubit, duke e udhëhequr ekipin në fitoren 2-1 në fushën e Sporting Gijon, në javën e tetë të Primera Division.
Mario Suarez ishte vendimtar për Valencian, fillimisht me golin që zhbllokoi sfidën në minutën e 7-të. Vendasit rikthyen baraspeshën me Castro në çastet e fundit të pjesës së parë, por ishte sërish Mario Suarez në të 65-ën që realizoi golin me vlerë tre pikësh për Valencian, që iu largua zonës së rënies nga kategoria.
Villareal arriti Barcelonën në renditje pasi mposhti me shumë lehtësi Celta Vigon, që një javë më parë kishte mundur pikërisht katalanasit. Nëndetësja e verdhë fitoi 5-0 me Sorianon që ishte protagonisti kryesor duke shënuar një dygolësh që në 18 minutat e para të takimit.
Në të 38-tën, Bakambu ngriti shifrat në 3-0, ndërsa në fillimin e pjesës së dytë, vendasit morën dhe një dhuratë pasi Wass dërgoi topin gabimisht në rrjetën e tij. Në fund, në listën e golashënuesve hyri dhe Trigueros që vulosi rezultatin përfundimtar në 5-0.