Ish kryeministri Berisha paralajmëroi dje në Parlament se çdo përpjekje për të detyruar opozitën të tërhiqet apo të mposhtet do të jetë e dështuar dhe se çdo betejë e nisur me të është një betejë e humbur.
Përpjekjet e Ramës dhe grupit të tij të ekspertëve për të draftuar një reformë që mundësonte kapjen e Drejtësisë u rrëzuan nga vet Komisioni i Venecias. Venecia, theksoi ish kryeministri, tha se këta duan një drejtësi në të cilën old mayer (Rama) duhet të ishte kryegjykatës, kryehetues, kryeprokuror në mënyrë që të bëhej napolon në fund. “Venecia ja u rrëzoi me 38 nene, ajo i kapi mat, me presh në dorë. Venecia tha se në 6 nene shkelej Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut. Por një neo bllokmen si Rama, që ka psikologjinë e etërve të tij dhe xhelatit Spiro Koleka dhe Kristaq Rama, nuk mund të njohë dhe nuk mund t’u njohë dhe nuk mund të pranojë kurrë të drejta të njeriu për qytetarët. Ndaj dhe sipas tij ata nuk mund të ankoheshin, ndaj dhe sipas tij ata nuk mund të shkonin të ankoheshin në gjykatë nëse iu bëhej një padrejtësi administrative. Venecia i tha se konventa është një dokument i firmosur nga Shqipëria dhe është një dokument obligativ. Edi Rama, kryetari i partisë komuniste të drejtësisë dhe ekspertët e tij të nivelit më të lartë donin t’ju shndërronin në kope, në njerëz që nuk jetonin në Europë, por në një galaksi tjetër ku s’keni të drejtë të ankoheshit. Donin t’ju mohonin ju disa të drejta të tjera që kombe të tjera i kanë fituar shekuj më parë. Ja pra ç’bëri opozita. Opozita duroi propagandën kakofonike që çakejtë e qeverisë, që lehin gjithë ditën nga mëngjesi deri në darkë, sipas ushqimit që i jep manari i tij (Fuga). Opozita është vlerë morale, është diamanti moral i shoqërisë së lirë. Ajo nuk tërhiqet kurrë, ajo nuk mposhtet kurrë! Beteja me të është betejë e humbur” u shpreh ish kryeministri Berisha.
“Pra, u rrëzua drafti dhe bashkë me draftin thyen qafën dhe ekspertët e high level. Kriminelë të papenduar. Që Arben Rakipi është një kriminel kjo është botërisht e njohur. Shkoni në Elbasan dhe shihni sa mizor ka qenë në dhjetor të ‘90 kundër protestuesve. Shkoi drafti i dytë dhe opozita prapë bëri një shërbim të mirë ndaj qytetarëve dhe çoi vërejtjet. Doni ta kapni opozitën? S’mund ta bëni kurrë! Doni ta përjashtoni opozitën? S’mund ta bëni kurrë! S’mund t’i mohoni kurrë as të drejtat! Unë e kuptoj që ju flisni këtu çdo kasetë që ju jep Edi Rama, por do të vijë dita. Është kollaj të sulmosh opozitën, gjëja më e lehtë dhe pa pare. Por opozita është diamanti moral i shoqërisë. Me asgjë s’mund t’ja hiqni ju shkëlqimin asaj. Kjo opozitë nuk u tërhoq dhe tregoi një shkallë të lartë përgjegjësie”.
Ekspertët me njolla krimi të Reformës në Drejtësi
Berisha denoncoi grupin e ekspertëve të miratuar nga Rama për reformën në drejtësi. “Prej disa kohësh Parlamenti është rrokur në një debat për Reformën në Drejtësi. Edhe një herë, dua t’u them qytetarëve shqiptarë se opozita shqiptare ka 1 dhe 1000 arsye të jetë krenare para jush për kontributin e saj të jashtëzakonshëm që dha që nga fillimi i këtij procesi deri dje, nesër dhe ditët që vijnë. Këtë proces Edi Rama e filloi me vendimin e tij. E filloi me vendimin e tij absurd të përjashtimit të opozitës nga procesi, duke mashtruar vendas dhe të huaj se shqiptarët nuk është se kanë bisht, por ama një gjë kanë ata, në fjalorin e tyre, po them fjalët tekstual siç m’i kanë thënë të huajt, fjala konsensus nuk ekziston. Sigurisht fjala konsensus nuk ekzistonte për Edi Ramën që udhëhiqet nga parimet më antivlerë, nga urrejtja më e madhe njerëzore, urrejtje atërore, që celebronte fitoren me 1 mln grushte ndaj opozitës, etërit e tij thoshin 1 mln plumba ndaj armiqve. Mbi këtë bazë Edvin Kristaq Rama ngriti të famshmin “komision të ekspertëve të nivelit të lartë”. Po kush ishin këta ekspertë me në krye bashkëkryetarin e partisë komuniste të drejtësisë, zëdhënësin e interesave direkte të klaneve personale, familjare, personale supermafioze të trafikantëve, Fatmir Xhafën? Ne jemi me durim. Ata që mendojnë se do të nxjerrin fitime duke sulmuar opozitën gabojnë rëndë. E vogël ose e madhe, opozita është diamanti moral i kombit. Gabojnë rëndë ata që besojnë në sulmet që i bëjnë asaj” tha ish kryeministri.
Berisha u ndal konkretisht tek emrat që përbënin grupin e ekspertëve të Ramës. “Cilët ishin pra këta ekspertë? Arben Rakipi, po cili ishte ky? Rakipi ishte njeriu që akuzoi Sali Berishën 8 muaj para se Haga të akuzonte Sllobodan Millosheviçin për krime kundër njerëzimit duke turpëruar, poshtëruar institutin e akuzës sepse paraqiti si provë një shishe Pepsi Cola. Ky ishte high level ekspert. Po tjetër? Tjetër ishte Kristaq Traja, një intelektual fatkeqësisht i shpërfytyruar totalisht nga bixhozi dhe rakia ose pije tjetër. E njohur universalisht kjo. Eksperti tjetër i nivelit më të lartë, që paguhej me një çmim stratosferik të paimagjinueshëm, po fundja ishin pare të Sorosit ato, ishte Dvorani që në mënyrë monstruoze për të marrë dy rroga nuk lëshonte detyrën edhe pse i kishte skaduar afati kushtetues, për të treguar se nuk njihte as ligj e as Kushtetutë. Hajduti kushtetues, të shkojë, të kthejë një më një rrogat që ka marrë” vijoi ish kryeministri.
Berisha i bëri thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të hapë çështje ndaj Dvoranit sepse është krim kushtetues ajo që ka bërë ai. “Çfarë bëri ky grup pra? Pasi mori një valixhe parash, hartuan një projekt me 70 nene kushtetuese, në të cilat u garantuan se ‘më i vjetri i Gj. së Lartë do të emërohej në forumin e kontrollit të drejtësisë me 6 mln lekë rrogë’, amandament ky. Kunati i tij, më i vjetri në Gj. Kushtetuese u garantua edhe ai me 6 mln lekë rrogën. Çfarë bëri opozita? Opozita dhe unë dua t’i shpreh mirënjohjen më të thellë grupit të opozitës, të cilët bënë një punë të jashtëzakonshme, shqyrtuan atë material dhe i dërguan Venecias një nga një problemet e tyre. Komisioni i Venecias, të cilën e bllokoi tre muaj rresht kryetari i partisë komuniste të drejtësisë, se nuk firmoste Fatmir Xhafa për ta çuar materialin në Venecia, derisa e çoi kryetari i Parlamentit pa e pyetur, sepse Venecia ja u nxori lakrat, u nxori se çfarë drejtësie donin” tha Berisha.
Në asnjë vend të BE, gjykatësit nuk emërohen nga të huajt
Në asnjë vend i Bashkimit Europian, ashtu si edhe dy shtetet e fundit që janë anëtarësuar në BE, Kroacia dhe Rumania nuk kanë aplikuar variantin e emërimit të gjykatësve dhe prokuroprëve nga të huajt. Berisha e cilësoi këtë variant si cënim të sovranitetit të një shteti.
“Tani vijmë tek Vetting-u. Prapë do të vini tek ne. Opozita është diamanti moral i shoqërisë, ju jeni ndryshku i saj. Drita morale e opozitës do ju verbojë ju, ajo ndriçon vetëm mendjet e njerëzve, të qytetarëve. Rama kërkon që gjykatësit t’i emërojnë të huajt, kërkon që të huajt të bëjnë një raport dhe ky raport të vijë të votohet në Parlament. Një raport që bëjnë qytetarë të huaj, që s’kanë asnjë detyrim ligjor e as kushtetues ndaj këtij vendi. Por unë po e përjashtoj veten, unë jam sovranist dhe nuk jam i penduar kurrë për sovranizmin tim, por i kam shërbyer vendit dhe kombit tim.
Po çfarë ndodh? Ja u them unë. Në zhvillimet e fundit më thonë se këtë ndryshim kushtetues e ka Rumania dhe Kroacia. Po ja u them këtu me ndershmërinë më të madhe. Nëse këtë do e kishte Rumania ose Kroacia, se ç’do të bënte PD nuk e di, por Sali Berisha do e miratonte. Sepse do ta pranoja si një dorëzim sovraniteti të kushtëzuar nga procesi europian. Më rezulton se asnjë fjalë në Kushtetutën rumune dhe kroate për këtë nuk ka. Doni t’ja u lexoj çfarë shkruhet në marrëveshjen që ka Kroacia me BE?
Neni përkatës thotë: ‘Vendet pjesëmarrëse do të mbështesin dhe sigurojnë se të gjitha aktivitetet dhe objektivat që kanë të bëjnë me implementimin e programit janë konsistente me legjislacionin e BE’.
Po ju që thoni ‘fluturon-fluturon gomari çdo ditë’, se kështu ju thotë Edi Rama ju qofshi. Por unë po ju them që nëse këtë do e kishte një vend i BE unë nuk do të bëhesha pengesë, por do i thoja vetes e ke pak mbrapa kohën dhe ndiq kohën dhe mos dil kundër”.
Edhe njëherë, ai solli në vëmendje rekomandimin e qartë të Komisionit të Venecias se Reforma në Drejtësi duhet të kalojë me konsensusin e opozitës. “Ndalemi pak vetëm në dy muajt e fundit. Keni dy muaj e gjysmë që flisni nga mëngjesi në darkë dhe nga darka në mëngjes, opozita thotë 88-tën ndërsa ju thoni ndërkombëtarët. U detyruat të ktheheshit te 88-ta. Pse? Sepse 88 s’e bëri opozita, e kishte thënë Venecia. Ja pra, që ne jemi në të drejtën tonë, sepse Venecia kishte thënë se nuk mundet të emërohen pa një pjesëmarrje palcore të opozitës. Ja që nuk e sikterisni dot opozitën. Përkundrazi!” vijoi ish kryeministri Berisha.