Kush e vrau Bashkimin Europian?

Fabrizio Tassinari

“A mund të më tregojë dikush herën e fundit që një kulturë mbizotëruese e antiintelektualizmit, të ketë çuar në ndonjë gjë tjetër veç fanatizmit?”- ishte kritikat e të riut Nikolas, në një nga të përditshmet angleze, pasi Britania votoi për të lënë BE–në në referendumin e 23 qershorit. Në kohën e një populizmi inatçor dhe rebelimit popullor, ai me siguri preku nervin e duhur dhe komenti u bë viral në mediat sociale. Më pak e dukshme është se Nikolas dhe bashkëmoshatarët e tij janë fajtorë për mëkatin që ata denoncuan me forcë. Fanatizmi është ndoshta një nga fituesit e mëdhenj në sagën marramendëse të Brexit-it. Gjatë fushatës, argumentet paksa fshikulluese si kozmopolite apo jo që vinin direkt nga mbështetësit e “Bremain” do të veçoheshin dhe dënoheshin.
“Ekspertët” u fajësuan për të gjitha të këqijat në shoqërinë britanike dhe figurat udhëheqëse të Brexit i krahasuan ekonomistët me shkencëtarët nazistë që u detyruan të denoncojnë Ajnshtajnin. Teknokratët e BE-së janë fajësuar natyrisht se e kanë kthyer Europën në një Leviatan të rregullave të padepërtueshme që prangosin qytetarët dhe sfidojnë sensin e përbashkët. Euroskepticizmi dhe ndjenjat kundër emigrantëve përfaqësojnë tashmë një shumicë të elektoratit në shumë vende europiane. Kancelaritë në të gjithë kontinentin i druhen tanimë momentit të llogaridhënies.
Por ekziston një lloj fanatizmi më delikat, i rrënjosur thellë dhe i rrezikshëm, i mishëruar nga brezi i parë që e censuron atë (dhe të cilit, i përkas edhe vetë). Ky është fanatizmi i të ashtuquajturit “brezi i Erasmusit”. Ky grup e merr emrin e vet nga programi gjerësisht popullor i BE mbi shkëmbimet universitare, që gjatë 3 dekadave të fundit u ka mundësuar afro 2 milionë studentëve të kalojnë një periudhë të studimeve të tyre në një vend tjetër europian, kryesisht pa pagesë.
Erasmus është cilësuar si një nga disa projektet vërtet të suksesshme europiane, duke nxitur llojin e mendjes së hapur, që vota Brexit duket se e hedh poshtë. Siç ankohej në një tjetër pasazh të komentit të vet Nikolas: “Ne nuk do të dimë kurrë sasinë e plotë të mundësive të humbura, miqësive, martesave dhe përvojave që do të mohohen”. Si një mënyrë e ndërtimit të një miti, narrativa e Erasmusit ka romantizuar studentët, ashtu si shumë nga pasardhësit e lindur nga marrëdhëniet e tyre, të supozuar si fara e identitetit të vërtetë europian.
Sikurse pasqyrohet në demografinë e votuesve të Brexit, sondazh pas sondazhi, ky është brezi që më shumë se çdo tjetër hyjnizon BE-në dhe pakthyeshmërinë e saj si një lloj grupimi mendimtarësh. Por, duke qenë se vetë BE-ja duket sot gjithnjë e më shumë si një organizatë e dobët në momentet e turbullta, dikush nuk mund të mos vërejë se besnikëria europiane e gjeneratës Erasmus ka rënë në këmbim të një numri përfitimesh nga kjo situatë.
Shkencëtari politik amerikan, Frensis Fukujama gati e kryqëzoi atë rreth dy dekada më parë, kur e përshkroi atë që ai e quajti “kulturë amerikane të të drejtave”, e cila, siç shkruan në librin e tij “Besimi”, “nderohet me qëllime të larta morale, që shpesh përfundojnë tek interesa apo dëshira të ulëta private”. Ngjashëm, nga lëvizja e lirë e njerëzve tek roaming më i lirë dhe deri këto ditët e fundit tek Kampionati Europian i Futbollit, gjenerata Erasmus ka nderuar interesa dhe dëshira të ulëta private me një atmosferë të moralizmit europian.
Ajo Europë që mund të modelojë botën sipas imazhit të saj ishte në një moment një propozim i dallueshëm, madje edhe në Britani. Problemi me këtë frymë, është se ajo ka ardhur me shumë të drejta, por pak ose aspak përgjegjësi. Pa dyshim është një detyrë sizifiane mbrojtja e veçantive të institucioneve të BE-së, kontradiktave të shpenzimeve të saj ose kompleksitetit të legjislacionit të saj.
Por, në të njëjtën mënyrë, është dashur shumë punë për ta bërë nativizmin dhe ksenofobinë kaq të pranuar, një çështje të zakonshme në diskursin e sotëm europian! Është vënë re shpesh se askush nuk është i përgatitur për të vdekur për Europën – mungesa e një ushtrie europiane siguron një tablo për këtë argument. Por pika më e gjerë është se brezi që sot ndihet i privuar nga e ardhmja e tij evropiane, me votën Brexit ka përqafuar prej vitesh në mënyrë joelegante një nga shtresat e identiteteve të tyre të shumta dhe mjaft të mjegullta.
Dhe me çdo shtresë shtesë ka ndodhur një rënie e nivelit të angazhimit. Çdo përpjekje për rindërtimin e Europës pas Brexit do të duhet të ndalë vlerësimin e këtij idili europian përballë vlerave reale. Një Europë e integruar do të thotë në rastin më të mirë të sigurosh një mekanizëm për të adresuar sfidat gjigante. Në rast se BE-ja mund të përfundojë duke mos i shërbyer më këtij qëllimi, kjo do të ndodhë edhe për shkak të vetëkënaqësisë të brezit të ardhshëm të europianëve.
Ish-Presidenti amerikan, Xhorxh W. Bush, qe gogol i vërtetë i vlerave europiane, i njihet merita e shprehjes së famshme “fanatizmi i butë i pritshmërive të ulëta” për të përshkruar gjendjen e mjerë të arsimit të mesëm amerikan. Është një ironi me vend që një nga produktet më të ndritshme të klasës së arsimuar të Europës, duhet të vuajnë nga një problem shumë i ngjashëm.

Exit mobile version