Ceferin: Do ta përjashtoj PSG-në

400 milionë eurot e shpenzuara për Neymar dhe Mbappe nga PSG vazhdojnë të krijojnë polemika dhe në këtë mes nuk mbetet jashtë as UEFA, institucioni që duhet të vihet në lëvizje për të verifikuar nëse klubi parisien i ka respektuar ose jo rregullat e fair play financiar. Një gjë të tillë UEFA po e bën, por presidenti Alexander Ceferin është gati t’i shkojë edhe më tej kësaj çështjeje. “L’Equipe” citon një bisedë të sllovenit me anëtarët e Shoqatës së Klubeve europiane ku mendohet se ka thënë se do të veprojë me dorë të hekurt ndaj PSG.
Një gjë të tillë vetë UEFA e mohon, por të gjitha sinjalet janë që klubi i sheikut Al Khelaifi rrezikon të përjashtohet nga kompeticionet europiane. “Nuk do të kemi frikë të ndëshkojmë këdo që thyen rregullat”, premtoi presidenti i UEFA-s gjatë muajit gusht, duke kërkuar njëkohësisht edhe transparencë maksimale nga PSG. Gjithsesi, në kampin e klubit francez duket se nuk shqetësohen aspak, madje në ditën e prezantimit të Mbappe, presidenti Al Khelaifi theksoi se klubi është në rregull me bilancet dhe këtë ia ka vërtetuar UEFA-s.
“Jemi të qetë sepse nuk kemi asgjë për të fshehur. Çdo veprim e kemi bërë konform normave të UEFA-s”, theksoi manjati nga Lindja e Mesme. Gjithsesi, një përgjigje përfundimtare Al Khelaifi do ta marrë pas inspektimit të plotë, kur do të thuhet edhe fjala e fundit në lidhje me dyshimet e shumta se PSG e ka shkelur rregulloren me të dyja këmbët.

Exit mobile version