Izolimi në shtëpi i ka kufizuar të përditshmen e tij, shëtitjet nga liqeni me bashkëshorten, palestrën, kafet me miqtë apo shfaqjet teatrale… Por “ngujimi” ka shpeshtuar bisedat e Neritan Cekës më të afërmit, sidomos me pjesën e familjes jashtë vendit dhe kryesisht me mbesën “e privilegjuar’.
Orët e shumta e zënë librat dhe rikthimi te ribotimet. Arkeologu dhe historiani Neritan Ceka për “Gazeta Shqiptare” flet për eksperiencën e tij me pandeminë e koronavirusit, teksa nuk i fsheh disa pakënaqësi për menaxhimin e situatës nga pandemia, por as nuk mohon faktin se gjithçka është menaxhuar mirë.
Ceka shprehet se kjo situatë i gjeti shqiptarët të papërgatitur, në luftë për ekzistencë dhe në skajet e varfërisë, ndërsa shteti u kthye menjëherë në “malin që s’bëzan”… Neritan Ceka, një prej figurave qendrore të pluralizmit politik nuk nguron të japë vlerësimet e tij për liderët aktualë politikë, “armëpushimin” përgjatë pandemisë dhe paralajmërimit se “lufta politike” do të rindizet sërish me afrimin e zgjedhjeve parlamentare.
Neritan Ceka është ish-themelues i PD-së, ish-ministër Rendit, ish-kreu i PAD, disa herë deputet në Kuvend, ndërkohë që vazhdon punën me Akademinë e Shkencave, si kryetar i Komisionit Histori-Arkeologji në përgatitjen e programit të një konference të Albanologjisë, që përgatitet për t’u mbajtur vitin që vjen.
Z.Ceka, çfarë ka ndryshuar te ju personalisht izolimi në shtëpi për shkak të Covid-19?
Shumë pak. Kjo, sepse kam ruajtur ritmin e zakonshëm të jetës dimërore, kur e kaloj pjesën më të madhe të kohës në kompjuterin tim. Jam me fat që kam përballë gjithë dritareve të shtëpisë malin e Dajtit, që më duket një referim i sigurt për të mos humbur ndjenjën e hapësirës, sepse të kohës e kam humbur.
Në këtë mënyrë, kam rivendosur një raport të humbur me natyrën, duke parë profilet e agimit në kreshtat e tij, që i shtohet edhe kori i zogjve të rikthyer në pullazet tona. Krijimi i një lloj rutine është armiku më i madh i kësaj gjendjeje, që na kthen në Edmont Dantes të qelisë sonë komode shtëpiake.
Natyrisht, mendimi im shkon te të gjithë ata që e kanë kaluar këtë periudhë si luftë për ekzistencë dhe mbetet i ngulitur imazhi migjenian i disa burrave të komunitetit egjiptian nën kalanë legjendare të Shkodrës, që prisnin dikë t’i thërriste për të punuar si hamej.
Në këtë optikë, ngujimi ka qenë një fenomen thellësisht ekzistencial në Shqipëri, sepse ka vendosur përballë zgjidhjes së problemit të mbijetesës dhjetëra-mijëra familje, që u gjetën të papërgatitura, por edhe të pambrojtura para kësaj gjendjeje.
Ka qenë, si të thuash, një prishje e kuadrit të kontratës sociale, ku këta njerëz i kanë deleguar shtetit përmes sistemit politik dhe votës kapacitetet e tyre vetëmbrojtëse. Dhe shteti u kthye menjëherë në “malin që s’bëzan”, siç shkruante Migjeni.
Për më tepër, për të fshehur dobësitë dhe paaftësitë e tij, ai u shfaq përmes arrogancës, alarmit dhe krijimit të atmosferës së frikës dhe pasigurisë. Për këtë arsye kam dyshimin që edhe pas largimit të pandemisë, shoqëria jonë do të jetë jo vetëm më e varfër, por edhe më e përçarë dhe më indiferente ndaj gjërave që na bashkojnë si komunitet.
Vazhdoni të mos shkoni dot në palestër e të dilni shëtitje te liqeni…?
Ndoshta kjo është ajo që më mungon më shumë. Sepse ishte një kohë prej dy orësh, me ardhjen rreth liqenit, me gruan time, Linë, kur i kushtoheshim plotësisht njeri-tjetrit. Pastaj ishte edhe kafja në bregun e liqenit, ku mund të takonim shumë prej miqve tanë.
Takimi i përjavshëm me dr. Pandeli Çinën, që sillte përherë një përkthim poezie të nobelistëve polakë. Ishte një lloj apeli i moshatarëve dhe druaj që në apelin e ardhshëm disa prej tyre nuk do të jenë. Druaj edhe se nuk do t’i kem edhe koncertet e përdyjavshme të orkestrës së Radio-Televizionit, apo shfaqjet teatrale, që janë nga privilegjet e gëzuara të kryeqytetit.
“GSH”