Shqipëria po qeveriset nga një sekt anarkistësh me në krye një gangster ordiner!

Nga Bujar NISHANI

Shqipëria po qeveriset nga një sekt anarkistësh që përpiqen ta kthejnë pushtetin e tyre në një rregjim imponues dhe në krye të kësaj qeverisje nga një gangsterr ordiner!

Mjekët profesionistë dhe me dinjitet të vendit po paraqesin tashmë fakte dhe prova mjekësore se koronavirusi ka qenë prezent në Shqipëri që në muajin janar 2020.

Kjo është krejt logjike duke patur parasysh faktorët e qarkullimit dhe përhapjes së këtij virusi si dhe simptomat e shfaqjes së tij.

Shqipëria ka qenë destinacioni i përditëshëm i një fluksi të madh hyrje-dalje me veriun e Italisë dhe fakti që muajt janar, shkurt janë piku i gripit sezonal i ngjashëm simptomatikisht me virusin Covid 19, bindin shumë qytetarë sot për arsyet e simpomave të forta gripale që kanë kaluar në atë periudhë.

Ajo që kishte detyrën e monitorimit, analizimit dhe vlerësimit të kësaj situate ishte qeveria e këtij vendi.

Paaftësia dhe papërgjegjshmëria e një qeverie rrumpallë jo vetëm që dështoi totalisht në identifikimin e kësaj situate por me mosveprimin e saj në mbrojtje të jetës dhe shëndetit të popullit ka kryer një krim të rëndë.

Për të fshehur këtë dështim e këtë krim gangsterri me pushtet absolut e futi vendin dhe popullin në një situatë psikologjike terrori dhe jetesën familjare, bisnesin dhe ekonominë e vendit në një rregjim ekstrem dhe kolapsi.

Nga njëra anë mbulonte paaftësinë dhe krimin që ju kishte shkaktuar shqiptarëve e nga ana tjetër zaptoi gjithë hapsirën publike për politikë personale e moniste.
Nga njëra anë shtypte e denigronte jetën personale të çdo qytetari e nga ana tjetër vidhte e grabiste papushim pasuritë e vendit dhe xhepat e shqiptarëve.

Deklaratat makabre të kreut të qeverisë dhe protagonizmi i disa mjekëve militantë asgjesuan totalisht funksionimin normal të mekanizmave të shtetit dhe mendimin racional e shkencor të mjekëve specialistë të vërtetë.

Aktet dhe urdhëresat antikushtetuese e anti ligjore dhunuan prej muajsh jo thjesht liritë dhe të drejtat e qytetarëve, jo vetëm që tentuan kthimin në kavje eksperimentale të shqiptarëve por ishin mbulesa e përkryer e hajdutërisë masive të asaj pak pasurie të këtij vendi të vogël e njerëzve të varfër.

Tendera “sekret”, papushim, deri për letrat higjenike, a thua se e gjitha kjo administratë e rilindsave gdhihej e ngrysej në haletë e zyrave.

Nga njëra anë linte mijëra familje pa punë e pa të ardhura e nga ana tjetër shpërndande qindra milijonë për oligarkët e korruptuar.

Soji i grabitësve dhe të dhjamosurve me paratë publike prej tenderava të korrupsionit, hargaliseshin në pube e restorante me dyer të mbyllura, ndërkohë shqiptarët e thjeshtë i linte të gdhiheshin e ngryseshin pas traut të kufirit me ditë të tëra si të ishin lecka pa vlerë.

Tek urdhëronte fshehjen e numrit të njerëzve që ndërronin jetë përditë në vend, nxirrte në paradë antikushtetuese e maskaradë shëtitëse forcat ushtarake të një vendi anëtar i NATO-s.

Zhgërryer mbi karrigen e përdhunuar të zyrës kryeministrore urdhëronte disa shqiptarë të grabisnin disa shqiptarë të tjerë.

Armatoste me shkopin e dhunës qiramarrësit të zhvasnin qiradhënësit e pronave të tyre.

Por nuk linte asnjë ditë pa ju çuar milionat, oborrit të korrupsionit për PPP e famëshme të rilindjes.

Gangsterri urdhëron të zgjatet gjendja e masave të jashtëzakonshme deri në fundin e qershorit por nga ana tjetër organizojnë zgjedhje farsë në universitetet e vendit.

Universitete pa studentë e pa pedagogë, po bëjnë zgjedhje!

Ka një dhe vetëm një arsye zgjatja e paligjëshme e situatës së represionit mbi qytetarët deri më 23 qershor.

Vjedhja me tenderat “sekret” !

Evropa dha miliona euro si ndihmë për ekonominë e vendit, por askush nuk e di se ku u zhdukën ato?!!

Gangsterri paralajmëron shkurtimin e pensioneve dhe pagave të shqiptarëve, por shton hapësirën e territorit, tokës e detit që ju fal oligarkëve që vjedhin votat e shqiptarëve për pushtetin e gangsterrit.

Çdo ditë dalin prova të turpëshme se si ka degraduar qeverisja, se si vidhet ekonomia, se në ç’far niveli fyes ka përfunduar Parlamenti, se si është shpërfytyruar e korruptuar media, se si është asgjesuar drejtësia, se si Shteti Shqiptar është rrëzuar e denigruar.

Kjo është veçse vepër e një gangsterri ordiner dhe jo e një qeveritari të rradhës.

Kësaj situate të paprecedentë në Shqipëri i ka mbetur veç një shpresë e një mundësi.

Reagimi i fuqishëm popullor!

Për fat të keq qytetarët nuk e kanë kuptuar ende se çfar fuqie të madhe kanë e posedojnë.

Populli ka një forcë të jashtëzakonëshme që merr përpara me fuqinë e cunamit çdo rregjim dhunues e pushtet absolut që vjedh, grabit, shtyp, mashtron e poshtëron 24/24 popullin e vet.

Exit mobile version