Çfarë fshihet pas vrasjes së kapos së huliganëve në Beograd?

Në Ballkan ne jemi mësuar me ekzekutimet e stilit mafioz në rrugë, me luftëra të përgjakshme bandash dhe pa reagimin e duhur të policisë. Të enjten e shkuar, më 14 tetor, Aleksandër Stankoviç, me nofkën “Sale ‘Memeci’” u vra nga dy persona pasi mbaroi stërvitjen ditore në palestër.
Ai u rrëmbye nga makina e tij luksoze “Audi 8” bashkë me truprojën, që punonte gjithashtu në Ministrinë serbe të Drejtësisë.
Në mënyrë simbolike “Memeci” u vra pranë burgut në Beograd ku kaloi ca kohë në të shkuarën, pasi u akuzua për trafikim dhe posedim droge.
Stankoviç, 29 vjeç, ishte më i fundit nga seria e dhjetërave liderëve të grupeve tifoze të futbollit të vrarë në vitet e fundit në Serbi.
Ndryshe nga disa vrasje të tjera të stilit mafioz, kjo qartazi shqetësoi kreun e qeverisë. Ministri i Brendshëm, Nebojsa Stefanoviç mbajti një konferencë të veçantë për median ku deklaroi emocionalisht se, shteti serb nuk do të lejojë ngjarje të tilla në rrugë dhe se shteti ishte në luftë me krimin e organizuar.
I njëjti mesazh erdhi nga Kryeministri Vuçiç, i cili vazhdimisht përsëriti se nuk do të kursehej asgjë në luftën kundër krimit të organizuar dhe mafias. Vdekja e këtij ylli të ri dhe ambicioz të jetës së fshehtë kriminale serbe tërhoqi më tepër vëmendje sepse ai ishte i njohur si kryesori i mbështetësve të klubit të futbollit Partizan.
Ai ishte kreu i huliganëve që kontrollojnë anën jugore të stadiumit dhe kreu i grupit që në mënyrë jozyrtare drejton klubin.
Nëse duhen prova për këtë, gjatë fundjavës menaxherët e klubit publikuan një nekrologji, ndërsa në ndeshjet e luajtura në fundjavë, skuadrat e futbollit dhe basketbollit të Partizanit veshën bluza me foton e Stankoviç në to me mesazhin “Mbaj mend gjithçka” (një varg nga një këngë që tifozët këndojnë në stadium).
Askush nga Partizani nuk donte të shpjegonte se kush i urdhëroi lojtarët të vishnin bluzat me fytyrën e Stankoviç, por mesazhi ishte i qartë. Edhe një herë, u tregua rëndësia dhe ndikimi i grupeve huligane të organizuara.
Ndikimi i tyre gjendet pjesërisht te lidhjet e tyre me ata në pushtet në Serbi.
Është e ditur se anëtarët e partisë qeverisëse bashkë me huliganët drejtojnë klubet më të mëdha sportive në Serbi.
Vëllai i Kryeministrit Vuçiç, Andrej, ishte anëtar i presidencës së klubit të basketbollit Ylli i Kuq deri në qershor 2014.
Presidenti i Lidhjes Serbe të Futbollit, Slavisa Kokeza, që ishte gjithashtu në bordin drejtues të klubit të futbollit Ylli i Kuq deri në gusht 2015, është një anëtar me rëndësi në Partinë Progresive serbe të Vuçiç.
Novak Nediç, sekretari i Përgjithshëm i qeverisë, ishte për pak kohë në bordin menaxhues të klubit të futbollit të Partizanit, ndërsa babai i tij, Vojislav po ashtu anëtar i Partisë Progresive, ishte gjithashtu anëtar i klubit.
Këtë pranverë Stankoviç ishte një nga tre burrat që morën pjesë në një sulm brutal mbi truprojat e presidentit të klubit të futbollit të Partizanit në hyrje të stadiumit.
Ai nuk u ndoq penalisht. Duke komentuar për incidentin, Vuçiç tha se nuk kishte arsye për ta vënë pas hekurave Stankoviç, pasi ai nuk goditi askënd.
Ndërsa lidhjet me Vuçiç dhe liderëve të grupeve tifoze të llojit huligan janë të njohura, nuk ka pasur kurrë një debat siç duhet për këtë.
Vuçiç ka pranuar disa herë se në rini ai ishte pjesë e mbështetësve ekstremë të klubit të futbollit Ylli i Kuq dhe raportimet e medias kanë thënë se ai ka mbajtur takime me liderët e këtyre grupeve që nga marrja e pushtetit në vitin 2012.
Ish-presidenti i Partizanit, trajneri i basketbollit, Dusko Vujoseviç, tha se vizita e parë e Vuçiç në Partizan më 2012 mori formën e takimit me liderët e grupeve huligane, jo me menaxhimin real të klubit.
Vuçiç është njohur si dikush që mund të reformojë klubet më të mëdha sportive në Serbi në kuptimin e përjashtimit të kriminelëve nga drejtimi, duke prezantuar një strukturë të duhur organizimi dhe duke ripërcaktuar pozicionin e grupeve të mbështetësve.
Kjo duhet të hapë rrugën për privatizimin e ardhshëm të klubeve, të cilat aktualisht veprojnë si OJQ, duke marrë donacione të mëdha nga ndërmarrjet publike, nuk paguajnë asnjë taksë dhe nuk kanë pronësi transparente.
Megjithatë, asgjë nuk ka ndodhur, përveçse njerëzit e afërt me Vuçiç kanë marrë pozicione kyçe në klube dhe persona të rinj kanë marrë kontrollin mbi grupet huligane.
Stankoviç ishte njeriu i ri i anës jugore të stadiumit të Partizanit, ku udhëhiqte një grup të ri të quajtur “Janicari” (jeniçerët).
Autoriteti i tij u ndërtua mbi lidhjet e dyshimta të organizatave kriminale dhe politike. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij rrëzuan udhëheqësit e mëparshëm nga grupi Alcatraz në vitin 2013 dhe u bë më i afërt me bosët e klubit me lidhje të afërta me Vuçiç.
Para karrierës së tij si mbështetës i Partizan FC, Stankoviç ishte një nga udhëheqësit më të vegjël të tifozëve ekstremë të Yllit të Kuq FC, ndaj shumë burime nga zyra e policisë dhe Prokuroria i shohin këto grupe jo si të lidhur me sportin, por si grupe të organizuara kriminale, që gëzojnë mbështetjen e heshtur të politikanëve të fuqishëm.
Kjo është me siguri arsyeja pse ministri i Brendshëm dhe Kryeministri deklaruan se një vijë e kuqe ishte shkelur në këtë rast dhe thanë se shteti dhe institucionet e tij nuk do të lejojnë grupet e mafias nga Mali i Zi të vrasin njerëz në Serbi.
As Stefanoviç dhe as Vuçiç nuk e përmendën të shkuarën e vërtetë të Stankoviç; dukej pothuajse sikur të ishte vrarë një pjesëtar i policisë ose diçka e tillë, jo sikur të ishte një kriminel i dënuar që e shmangu burgun vetëm në sajë të një vendimi të Gjykatës së Apelit në vitin 2013.
Njëkohësisht, publiku është ndarë mes atyre që qëndrojnë të heshtur për shkak se nuk është gjë e sigurt të fliten gjëra të tilla në publik dhe një pakice që ia vënë fajin Stefanoviç, Vuçiç dhe kryesisë së klubit, duke thënë se duhet të distancohen nga ata që nuk janë mbështetës të vërtetë dhe se shteti duhet më në fund të arrestojë dhe të ndjekë penalisht të gjithë udhëheqësit e grupit huligan.
Kjo nuk ka për të ndodhur, kryesisht sepse është mirë të kesh grupe që operojnë si banda kriminale në anën tënde. Por gjithashtu siç e ka thënë ish-kryetari i qeverisë Ivica Daçiç dikur: askush nuk do të dëgjojë tifozët të thërrasin kundër teje në stadium.

Exit mobile version