Vendimi për mospranimin e rezultatit erdhi pasi nga adresa të ndryshme ndërkombëtare, nga Washingtoni, NATO dhe BE-ja është bërë thirrje për krijimin e qeverisë dhe vazhdimin e reformave.
Nuk ka patur, ende, asnjë reagim në vendimin e opozitës për të mos pranuar rezultatet zgjedhore të ditës së diel.
Fronti Demokratik Kljuc (Çelësi), demokratët dhe Partia Socialdemokrate kanë marrë vendimin njëzëri që të mos pranojnë rezultatet e zgjedhjeve paralamentare që u mbajtën të dielën.
Krerët e të katër partive, që kanë marrë gjithsej 39 vende në Parlament nga 81, kanë konstatuar se nuk mund të pranojnë rezultatet zgjedhore, që u mbajtën në ditën “kur ka pasur përpjekje për grusht shtet, sepse kjo nuk lidhet me deklarimin e lirë dhe demokratik të qytetarëve dhe ka ndikuar në rezultatin përfundimtar”.
Dritan Abazoviç nga koalicioni i madh Kljuc, thotë se kjo nuk është arsyeja e vetme se pse është bashkuar opozita në vendimin e saj për të kundërshtuar rezultatin e, siç thotë, zgjedhjeve më të parregullta në 10 vjetët e fundit:
Po, për dallim nga opozita malazeze, bashkësia ndërkombëtare ka ardhur në përfundim të përgjithshëm se zgjedhjet në Mal të Zi “kanë qenë demokratike dhe janë zhvilluar në një mënyrë të qetë dhe të rregullt”.
Delegacioni i vëzhguesve të OSBE-së nuk ka vënë në pikëpyetje rregullsinë e zgjedhjeve, ndërkohë që përmes deklaratave për shtyp Departamenti amerikan i Shtetit, NATO dhe BE kanë thënë se qytetarët malazezë në zgjedhjet parlamentare dhe lokale “kanë votuar qetë dhe në rregull, brenda kornizës ligjore të reformuar”.
Zgjedhjet në Mal të Zi janë mbajtur të dielën me pjesëmarrjen e më shumë se 73 për qind të trupit votues. Partia e Kryeministrit Millo Gjukanoviç ka marrë shumicën e votave, por jo mjaftueshëm për ta qeverisur vendin vetë. Zgjedhjet janë parë si jetike për vendin në udhëkryqin ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë.
Një natë përpara mbajtjes së zgjedhjeve, policia malazeze ka arrestuar 20 shtetas të Serbisë.
Prokuroria Speciale e Malit të Zi, ka caktuar të hënën, masën e paraburgimit prej 72 orësh për 14 nga 20 personat, shtetas të Serbisë, të arrestuar në Podgoricë, me dyshimin se, siç thuhet, “kanë planifikuar sulme mbi institucionet malazeze, policinë dhe përfaqësuesit e organeve shtetërore”. Gjashtë nga të arrestuarit ditën e shtunë, pas marrjes në pyetje janë liruar, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë, Andrijana Razhnatoviç.