Chelsea arrin akordin për Bakayoko

Sagës së transferimit të Tiemoue Bakayoko tek Chelsea i erdhi fundi. Shifra prej 40 milionë paund vulosi ditën e mërkurë marrëveshjen mes palëve, Monacos dhe Chelseat. Në të vërtetë Blutë e Londrës prej kohësh kanë qenë në bisedime me kampionët e Ligës së Parë franceze, me të cilët paraprakisht transferimi dukej i mbyllur ashtu sikurse ishte vendosur edhe paga që do të merrte 22-vjeçari francez, por ajo çka mbante pezull këtë marrëveshje ishte pikërisht gjendja shëndetësore e mesfushorit, pasi Chelsea kurrsesi nuk mund të firmoste për një lojtar të dëmtuar. Gjithsesi, pas një ndërhyrjeje të lehtë që kreu në gju gjendja e përgjithshme e Bakayokos në këtë hark kohor u paraqit mjaft e mirë dhe pas vlerësimit, stafi mjekësor i Chelsea-t beson se me trajtimin e duhur ai do të rikuperojë formën optimale brenda pak kohësh. Me këtë blerje buxheti i shpenzuar nga klubi i Chelseat në këtë merkato arrin shifrën e 75 milionë paundëve, pasi vetëm pak kohë më parë kontraktuan edhe Antonio Rudiger nga Roma për 35 milionë paund.
Naby Keita mbetet një prioritet në merkaton e Liverpool-it. Jurgen Klopp e dëshiron me çdo kusht në skuadrën e tij mesfushorin nga Guinea, i cili spikati në sezonin e tij të parë me Leipzigun. Megjithatë Liverpooli nuk do ta ketë aspak të lehtë të firmosë me Keitan sepse klubi gjerman deri tani ka refuzuar 57 milionë paund nga The Reds dhe pret një ofertë më të lartë për të lënë të lirë mesfushorin.
Thomas Lemar është gjithnjë e më pranë Arsenalit. Topçinjtë e Londrës dhe Monaco shumë shpejt pritet të mbyllin marrëveshjen që do të transferojë në “Emirates Stadium” mesfushorin e krahut. Kartoni i Thomas Lemar do t’i kushtojë Arsenalit 45 milionë paund.
Monaco është kthyer në një supermarket për skuadrat angleze në këtë merkato. Klubi nga Principata ka arritur akordin me Chelsea-n për transferimin në “Stamford Bridge” të mesfushorit të talentuar Tiemoue Bakayoko. 45 milionë është shifra me të cilën drejtuesit e Bluve të Londrës kanë bindur klubin francez të lejojë largimin e Bakayoko.
E ardhmja e Luciano Viettos parashikohet të jetë në Premier League. Për sulmuesin argjentinas, i cili është në pronësi të Atleticos së Madridit interesohet Southamptoni. Shenjtorët me kërkesë të trajnerit Mauricio Pellegrino kanë gati ofertën për Vietton.

Exit mobile version